Analisti i FAZ: Kurti, kokëfortë në dëm të Kosovës

Redaktori i politikës në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Reinhard Veser, ka publikuar një analizë në këtë gazetë për situatën aktuale në Kosovë ku thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kokëfortësinë e tij po e dëmton vendin e tij.

“Albin Kurti tani për tani e ka hedhur poshtë mbështetjen perëndimore për Kosovën. Ai nuk arriti të kuptonte rëndësinë e qetësisë në Ballkan për Perëndimin përballë sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës”, shkruan ai.

Analisti i FAZ ka shkruar se kryeministri Kurti ka një histori të gjatë konfrontimi me aleatët perëndimorë të vendit të tij.

“Ai dikur udhëhoqi protesta kundër misionit të OKB-së në Kosovë dhe kundër planit të paqes të OKB-së për konfliktin me Serbinë. Që në fillim, ai kundërshtoi gjithashtu marrëveshjet me të cilat BE donte të normalizonte marrëdhëniet midis Serbisë dhe ish-krahinës së saj dhjetë vjet më parë. Pra, ai është konsistent në sabotimin e zbatimit të tyre si kreu i qeverisë. Nëse e do Kurtin, mund ta quash këtë qëndrim drejtësi. Në realitet, megjithatë, është një kokëfortësi me të cilën ai po e dëmton vendin e tij – ndoshta përgjithmonë”, është shprehur ai.

Sipas analistit të gazetës gjermane, Veser, partnerët tashmë po e shohin Kosovën si problematike në Ballkan.

“Kurti e ka shfrytëzuar si bixhoz mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën për momentin. Brukseli dhe Uashingtoni tani e konsiderojnë Kosovën si problematike në Ballkan, jo Serbinë. Dhe kjo përkundër faktit se Beogradi nuk e ka ndryshuar qëndrimin pengues me të cilin gjithmonë ka penguar zgjidhjen e konfliktit. Me sa duket Kurti nuk e ka kuptuar se sa e rëndësishme është qetësia në Ballkan për Perëndimin përballë luftës së agresionit rus në Ukrainë. Politikani cinik i pushtetit Aleksandar Vuçiq është i një kalibri tjetër në Beograd. Ai drejton propagandën pro-ruse për përdorim të brendshëm – dhe furnizon Ukrainën me armë”, është shprehur ai.

Reinhard Veser nga viti 1998 punon në FAZ dhe merret me temat e Europës Lindore.