Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime e përmbytje, duke u bazuar në situatën e përgjithshme meteorologjike në vend e rajon.
Sipas IHK-së, reshjet e deritashme kanë qenë të karakterit lokal me intensitet të ulët deri mesatare kanë kontribuar që rrjedhat lumore t’i mbajnë të qëndrueshme nivelet dhe prurjet e tyre, ndërsa disa prej tyre aktualisht ndodhen në kuotat e tyre mesatare.
“Këto reshje kanë ndikuar edhe në tejngopjen e tokave, sidomos nëpër viset e ulëta dhe përgjatë rrjedhave lumore. Situatë e tillë me reshje, parashikohet të mbajë edhe gjatë ditëve në vijim, ku duke filluar nga nesër dt: 12/06/2023, pritet që të ketë reshje në intervale të ndryshme duke përfshi pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në disa zona ato do të jenë më intensive të cilat mund të krijojnë vërshime të shpejta, të karakterit lokal, sidomos në lumenjtë me karakter të rrëkeve, të cilat zbresin prej viseve malore, ku si pasojë do të ketë tejkalim të kapaciteteve transportuese të tyre dhe mundësi të paraqitjes së vështirësive në sistemet e kanalizimeve, shembje të dheut, probleme në komunikacion, bujqësi etj”, thuhet në njoftimin e IHK-së.
Tuje në njoftim thuhet se “nga këto prognoza fillimisht meteorologjike me reshje e pastaj hidrologjike me mundësi vërshime në interval afatshkurtër nga shiu, parashihet që të kenë ndikim sidomos në:
– Pjesa veriore: Pellgu i Ibrit (Sistemet lumore të: Ibrit, Sitnicës Llapit, Drenica etj.) ku Probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 20-vjeçare: është 20 % ndërsa 5-vjeçare: 24 %.
– Ndërsa pjesa Perëndimore, jugore dhe lindore (Pellgu i Drinit të Bardhë, Lepencit dhe Moravës së Binçës), parashikohet një probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 5-vjeçare, gjegjësisht sasi më e vogël e reshjeve”.