Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse ka kërkuar fokusim maksimal nga ekipi i tij për dy ndeshjet e këtij muaji kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Ai në konferencë për media ka thënë se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve, prandaj do të mundohen të përgatiten maksimalisht.
“Nuk do koment fakti se këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme. Ajo çfarë do të bëjmë për këto dy përballje është që të tentojmë të mendojmë sa më pak për atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Do të mobilizohemi të përgatitemi sa më mirë. Ju i referoheni dy ndeshjeve të kaluara që u mbyllën baras kur thoni se kishim dy rezultate negative, por unë nuk konsideroj se rezultati me Izraelin ishte negativ, nëse po ai me Andorrën. Prandaj duhet të fokusohemi dhe të shohim përpara”, ka theksuar Giresse, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se çfarë pret nga përballjet e këtij muaji pas rezultateve të ndeshjeve të muajit mars.
Giresse ka thënë se ky lloji kompetecioni nuk mundëson që të merren shumë më të kaluarën, por të përqendrohen në ndeshjet e radhës për të nxjerrë maksimumin.
Ai ka thënë se grumbullimi i Dardanëve është duke u zhvilluar në mënyrë pogresive, teksa ende nuk e kanë filluar punën 100 përqind për shkak se disa prej lojtarëve nuk kanë arritur ende.
Më pas Giresse iu ka përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth mosgrumbullimit të Florent Hadërgjonajt, Valon Berishës, Arbër Zenelit, Zymer Bytyqit, Arbnor Mujës e Mirlind Dakut.
Sa i përket Hadërgjonajt, ai ka thënë se mungesa ka të bëjë me arsye personale të lojtarit, derisa për Berishën, Zenelin, Dakun dhe Bytyqin ka thënë se ka qenë zgjedhje e tij sportive.
“Lista prej 23 lojtarëve është e limituar dhe më takon mua të bëj përzgjedhjen që mendoj se është më e mira. Gjithmonë ka kërkesa ose pyetje pse dikush bën pjesë në listë e pse dikush jo. Herën e fundit kishte pyetje për Ermal Krasniqin, ai sot është pjesë e grumbullimit. Por, gjithmonë varet nga pozicioni ku lojtarët luajnë. Kjo është arsyeja pse janë penalizuar disa lojtarë, ngase në sulm kemi shumë lojtarë, derisa në repartin e mbrojtjes jemi më të kufizuar”, ka shtuar Giresse.
Ndërkaq, duke folur për Arbnor Mujën trajneri ka thënë se ai fillimisht nuk ka ardhur në ndeshjet miqësore të vitit të kaluar, pastaj ka qenë pjesë e grumbullimit në dy ndeshjet e marsit, teksa këtë herë lojtari ka kërkuar garanci nëse do të jetë titullar.
“Unë i kam shpjeguar se askush nuk e ka vendin e sigurt në ekip dhe nëse ai mendon kështu, atëherë më mirë të mos vijë fare”, ka qenë i prerë trajneri francez.
Ndërkaq, menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala, duke e shpjeguar tutje situatën me Arbnor Mujën, për të cilin në media është përfolur se do të kalojë te Shqipëria, ka thënë se ato janë spekulime dhe se kjo nuk është hera e parë që Kosova po shantazhohet në mënyra të tilla. Ai ka thënë se kjo kryesisht bëhet nga agjentët e lojtarëve, të cilët bëjnë presion se ata do të largohen nga Kosova për një kombëtare tjetër.
“Situata e Mujës është shumë e thjeshtë dhe të gjitha ato lajme në media rreth tij janë spekulime. Ai ka qenë që një kohë të gjatë te Kosova në të gjitha grupmoshat dhe mbetet futbollist i Kosovës. Por, shqetësues është fakti se ky është një lloj trendi që vazhdimisht ka qenë viteve të fundit, ndoshta që nuk vjen nga futbollistët por nga agjentët e tyre, duke bërë shantazh që sa herë nuk ftohet një lojtar, atëherë flitet se do të shkojë diku tjetër. Por, ne nuk pranojmë shantazhe të tilla”, ka thënë Shala.