Agim Ademi priti në zyrat e FFK-së babanë e vëllezërve Xhaka

I pari i FFK-së, Agim Ademi ka pritur sot në zyrat e FFK-së babanë e vëllezërve Xgaka, Ragip Xhakën, ka bërë ne dije presidenti në Facebook, shkruan kolonamedia.info.

“Sot në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës prita një mysafir të veçantë – Ragip Xhakën, babanë e një prej futbollistëve më të shquar të Arsenalit dhe të Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka.

Me kënaqësi të madhe e pranova fanellën e Granitit me nënshkrimin e tij, të cilën do ta ruaj si një dhuratë të çmuar në koleksionin tim të futbollit.

Ragipi më përgëzoi për punën e deritanishme në krye të FFK-së dhe shprehu shpresën që Kosova do të arrijë kualifikimin në Kampionatin Evropian së bashku me Zvicrën.

Me këtë rast, Granitit i dërgova urimet më të mira, duke shprehur shpresën që sivjet do të arrijë ta fitojë titullin e kampionit me Arsenalin në Ligën Premiere dhe do të vijojë të shkëlqejë në fushën e futbollit edhe për shumë vjet.

Familja Xhaka ka qenë dhe mbetet simbol i vlerave dhe atdhedashurisë, teksa Graniti është promovues i jashtëzakonshëm i vlerave të Kosovës dhe frymëzues për të rinjtë në mbarë botën për të ndjekur ëndrrat e tyre në futboll.” Ka shkruar Ademi. Kolonamedia.com