Sot në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës u zhvillua një takim i përbashkët midis Komisionit Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe përfaqësuesve të klubeve, në prani të ministrit Hajrulla Çeku, zëvendësministres, Daulina Osmani dhe lidershipit të FFK-së.
Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, me qëllim të shqyrtimit dhe të vlerësimit të komenteve dhe kërkesave finale të Komisionit në lidhje me dokumentacionin e klubeve në procesin e licencimit të FFK-së. Në këtë takim edhe një herë u vu në pah se FFK i ka plotësuar të gjitha dokumentet dhe kriteret për licencim, ndërkohë që klubeve u mbetet të plotësojnë vetëm disa detaje në dokumentacionet e tyre, e që sipas dinamikës mund të kompletohen qysh javën që vjen.
Gjatë këtij takimi u vlerësua se procesi i licencimit të FFK-së ka marrë më shumë kohë sesa zakonisht për shkak se FFK është federata më e madhe sportive në vend dhe ka numrin më të madh të anëtarëve dhe sportistëve në krahasim me çdo federatë tjetër.
Në bazë të asaj çfarë u shqyrtu dhe u diskutua në këtë takim, procesi i kompletimit të dokumentacionit edhe për klubet pritet të përmbyllet në javën që vjen, pasi që klubet sqaruan shumicën e komenteve me komisionin.