Kthehen në punë të suspenduarit për rastin e mostrave të Astrit Deharit

Komisioni i Ankesave brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) ka marrë vendim që personat e suspenduar në rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, të kthehen në vendin e tyre të punës.

Teve 1.info ka mësuar që Komisioni i Ankesave në përbërje me Bergita CurrinValdete Ejupin dhe Liridon Kabashin, kanë marrë vendim që të suspenduarit të kthehen në vendin e tyre të punës.

Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Lakna, teknike e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore janë personat e suspenduar nga Komisioni Disiplinor e që Komisioni i Ankesave ka vendosur t’i kthejë në IML.

Ndryshe, ministrja e Drejtësisë në një konferencë për media më 8 dhjetor kishte bërë të ditur se janë zhdukur provat e rastit të Astrit Deharit, të cilat po mbaheshin në IML.

Ministria po ashtu kishte treguar edhe arsyet e pezullimit të katër anëtarëve të IML-së.

“Komisioni Disiplinor në kuadër të IML-së/Ministria e Drejtësisë më datën 8 dhjetor 2022 ka pranuar kërkesën përmes arkivës së IML-së për procedimin e rastit disiplinor ndaj Nardi Sheqerxhiu… Bazuar në vlerësimin dhe gjetjet nga shqyrtimi i lëndës, komisioni vlerëson se ka arsye të besohet se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga Sheqerxhiu, ndaj të cilit njoftohet se ka filluar procedura disiplinore për shkelje të rëndë, që ndërlidhet me ngjarjen e rëndë në laboratorin e toksikologjisë në IML, e pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përgjithshëm të detyrës së tij” – thuhet në vendim.

“Komisioni konsideron të nevojshme pezullimin e Sheqerxhiut për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë” – thuhet në vendimin e marrë.

Arsyetimi i njëjtë ishte dhënë edhe për tre të pezulluarit tjerë.

Lidhur me këtë rast më 9 dhjetor kishte dhënë dorëheqje edhe zv/drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Naim Uka.

Ndryshe, çështjen e zhdukjes së këtyre provave në IML është duke e hetuar edhe Prokuroria Speciale. Këtë të martë për këtë rast është ftuar për intervistim deputeti Haki Abazi.