Sot i dëshirova mirëseardhje në Kosovë përfaqësuesve të Kombëtares së veteranëve të futbollit të Gjermanisë, Rudi Bommer, ish-futbollist, trajner dhe analist i shquar i ndeshjeve të futbollit në televizionet gjermane dhe Dieter Burdenski, zyrtar i Kombëtares së Gjermanisë.
Bashkë me ta ishin edhe përfaqësuesi i FFK-së në Gjermani, Fekmi Kongjeli dhe Markus Weidner, ish-drejtor për marrëdhënie me jashtë në DFB, i cili dha kontribut të madh në të gjitha proceset para dhe pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA. Ai ishte në vendin tonë edhe vite më parë me rastin e licencimit të trajnerëve të parë kosovarë me licencë të UEFA-s.
Në emër të FFK-së e falënderova Kombëtaren e veteranëve të Gjermanisë që është bërë pjesë e festës sonë për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe shpreha mirënjohjen e parezervë për shtetin gjerman që në vazhdimësi ka qenë mbështetës i shtetndërtimit të Kosovës dhe i progresit të futbollit tonë.
Ndeshja e veteranëve Kosovë-Gjermani zhvillohet të shtunën në Kampin Nacional në Hajvali, në orën 13:00 dhe është pjesë e kalendarit shtetëror të aktiviteteve për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë.
Me këtë rast ftoj të gjithë dashamirët e futbollit që të jenë të pranishëm në këtë ndeshje, ku do të kenë mundësi të shohin yjet e dikurshme të futbollit të Kosovës dhe të Gjermanisë.
#BashkëPërFutbollin