Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka nisur ditën dhe javën me kritika për Qeverinë Kurti.
Amnistues të Martin Berishajt dhe rehabilitues të Ivanoviqit është vlerësimi i Abdixhikut për Qeverinë Kurti.
Sipas kryetarit të LDK-së, amnistimi i Martin Berishës po bëhet vetëm pse ka lidhje me pushtetin.
“Amnistues të Martin Berishaj.
Rehabilitues të Oliver Ivanoviq.
Ende në pritje të veprimeve.
- I pari na vie si një skandal korruptiv nga i cili distancohen secili politikan nē Slloveni, por tek i cili bashkohen secili pushtetar në Kosovë. Martin Berishaj ka tërhequr plot 1.4 milionë euro para të gatshme në njërën nga bankat e Prishtinës. Paratë janë transferuar nga kompania energjetike ‘GEN-I’ me seli në Beograd. Këto mjete e ky biznes janë mbajtur fshehtë. Prandaj ambasadori ka dy kallëzime të ndara penale. Një për shpëlarje parash e shmangie tatimesh; dhe një për fshehje të pasurisë. Ai vazhdon të merr mbrojtjen e parezervë të pushtetarëve vetëm sepse ka lidhje të ngushta politike me ta. Ligji për shokë të pushtetit vazhdon të mos vlejë.
- I dyti na vie si rehabilitim i një krimineli lufte. Oliver Ivanoviq ka qenë i dënuar me 9 vite burgim për vrasjen dhe përndjekjen e shqiptarëve civil në veri të vendit. Si prijës i formacionit famëkeq ‘Rojat e Urës’ ai kishte organizuar dhe urdhëruar vrasjen e 31 civilëve shqiptarë para dhe pas luftës. Sot, ai cilësohet nga pushteti si ‘njeriu që punoi për një të ardhme të qëndrueshme e një Kosovë shumë etnike’. 31 civil të vrarë! 31 shqiptarë të vrarë nga njeriu multietnik i pushtetit. Çfarë mund të jetë më e dhimbshme se kaq?
A është ky ndryshimi për të cilin Kosova ka patur nevojë? Që të amnistohen të korruptuarit vetem sepse kanë lidhje me pushtet, e të rehabilitohen kriminelët e luftës e pasluftës sepse tani janë në pushtet. Çfarë i bën të ndryshëm këta popullistë nga e mbrapshtja që kishte ngufatur këtë vend?
Skandalet si këto s’mund të kalohen në heshtje. Ato s’mund të mbyten as nga zhurma e paaftësisë së pushtetit. Do të vazhdojmë të kërkojmë shkarkim për të parin e kërkimfalje për lartnimin e dhimbshëm të të fundit.
Kosova meriton më mirë; Kosova mundet më shumë” shkruan Abdixhiku në reagim.