Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë detaje lidhur me votimin dhe procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputet, pas vendimit të Gjykatës Supreme për largimin nga lista të kandidatëve me aktakuza.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra, në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve.
Sipas tij, në këta formularë bartën vetëm votat e kandidatëve të certifikuar.
Lidhur me fletëvotimet e vlefshme dhe të pavlefshme, Elezi ka thënë se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i ndryshuar në vitin 2010, ka qartësuar mënyrën e votimit.
“Sipas nenit 110, paragrafi 4, votuesi pajiset me një fletëvotim në zgjedhje dhe a). e shënjon atë me votën për një subjekt politik, dhe b) mund që po ashtu të shënojë atë me vota për deri në 5 kandidatë nga lista e subjektit politik. Ndërsa, në paragrafin 5 theksohet se “nëse një fletëvotim shënjohet për më shumë se 5 kandidatë, atëherë numërohet vetëm vota e hedhur për subjektin politik”. Pra, votuesi duhet të zgjedhë vetëm 1 subjekt politik dhe më së shumti 5 kandidatë nga ai subjekt politik”, ka thënë ai.
Kurse, lidhur me evidentimin e të dhënave nga numërimi, Elezi ka thënë se pas përfundimit të votimit, anëtarët e Këshillit të Vendvotimit, të cilët përfaqësojnë subjektet politike, numërojnë fillimisht votat për subjektet politike, duke krijuar dengje me votat e vlefshme për secilën prej tyre.
“Pas këtij procesi, Këshilli i Vendvotimit numëron pjesën tjetër të fletëvotimit: votat e kandidatëve. Këto të dhëna paraqiten në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve (FLLK) për secilin fletëvotim. Në këto fleta paraqiten të dhënat për çdo numër. Pas kësaj, bëhet bartja e totalit të votave për secilin kandidat të certifikuar. Pra, nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra, në FLLK evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këta formularë bartën vetëm votat e kandidatëve të certifikuar”, ka thënë ai.