Më pas presidenti Ademi bëri një përmbledhje të aktiviteteve të FFK-së, teksa theksoi se 2022-ta ka qenë vit zgjedhor në FFK dhe i falënderoi edhe një herë klubet dhe komunitetin e futbollit që i besuan projektit të tij ‘Bashkë Për Futbollin’.
Duke folur për bilancin e ekipeve kombëtare, Ademi theksoi se rezultatet nuk kanë qenë ato të cilat i kanë dëshiruar, pasi gjithmonë synohet të arrihet maksimumi, porse siç tha është bërë progres në çdo aspekt dhe jemi në rrugën e duhur për të arritur objektivin e madh. “Kombëtarja është e të gjithëve dhe në vitin e ardhshëm hyjmë me moton ‘Bashkë me Kosovën në Evropian’. Besoj, që të gjithë së bashku, do ta krijojmë një mentalitet fituesi që nga fillimi i ciklit kualifikues dhe për herë të parë Kosovën do ta dërgojmë në një event të tillë. Besoj shumë në këtë projekt, ngase futbollistët janë formën e tyre më të mirë dhe nuk e kanë ngarkesën e kontratave me klube, e po ashtu e kemi edhe një grup korrekt, pra nuk them kemi grup të lehtë, sepse nuk e nënçmojë asnjë ekip aty. Kosova e ka momentumin dhe kapacitetin që të arrijë në Euro 2024 dhe bashkërisht ta realizojmë ëndrrën e shumë njerëzve që me dekada të tëra kanë kontribuuar në futbollin tonë“, ka thënë presidenti Ademi.
Ai foli edhe për infrastrukturën, ku tha se gjatë këtij viti janë ndërtuar 8 fusha stërvitore, derisa ka shprehur shpresën se së shpejti do të rinisë edhe puna në stadiumet e mëdha të vendit, të cilat tash e një kohë kanë ngecur në rinovime. “Pasi kam fituar mandatin e ri, së bashku me Komitetin Ekzekutiv kemi punuar shumë në infrastrukturë, edhe pse disa projekte që janë në dorë të ministrisë kanë mbetur në gjysmë për shkak të pandemisë dhe krizës globale. Pres që shumë shpejt të rifillohet puna në ato stadiume të kemi 3 të tilla të kategorisë së katërt dhe pesë të tjera të kategorisë së dytë”, ka thënë kreu i futbollit kosovar.
Tutje, i pari i FFK-së, ka folur edhe për ngritjen e jashtëzakonshme të kampionatit vendor si dhe për arritjen historike të FC Ballkani në garat evropiane, derisa e ka veçuar vizitën e njeriut të parë të FIFA-s, Gianni Infantino në Kosovë.
Kreu i FFK-së nuk la pa përmendur edhe për çështjen e licencimit nga MKRS, pasi gjatë ditës së sotme pati dezinformata në disa media për moslicencimin e FFK-së.
“Jemi në përfundim të vitit dhe të licencimit të federatave nga MKRS. Sigurisht se do të më pyesni rreth një lajmi që po rrjedhë në disa media për kinse moslicencimin e federatës sonë dhe dua t’u them se këtu nuk ka asgjë të vërtetë. Është lajm i rremë. Ne nuk kemi marrë asnjë vendim nga MKRS. Jemi në procedurë të licencimit. I kemi përmbushur të gjitha kërkesat e ministrisë. Janë disa çështje krejtësisht teknike për të cilat kanë kërkuar dokumente shtesë dhe ne do t’i plotësojmë edhe ato. Sot nga këtu u them të gjitha klubeve, të cilat kanë mundur të shqetësohen se nuk mundet askush në botë ta ndalë licencimin e FFK-së, për faktin se i kemi të gjitha kapacitetet për licencim. Ju garantoj se FFK do të licencohet në ditët në vazhdim, por ne gjithsesi i respektojmë të gjitha procedurat e shtetit dhe besoj shumë në ministrin Çeku dhe në MKRS-në, se do ta trajtojnë drejtë këtë çështje përkundër faktit se ka njerëz që kanë tendenca për të penguar këtë proces, sepse futbolli është sporti numër 1 dhe krenaria e vendit tonë”, ka shtuar Ademi.
Në përfundim presidenti Ademi ka uruar gazetarët për mbarësi e begati në familjet e tyre dhe suksese në punën e tyre dhe i ka ftuar ata që të jenë korrekt në pasqyrimin e ngjarjeve. “Dëshiroj që ju të keni suksese në vazhdimësi në punën tuaj dhe të jeni kritikues për punët e kqija e të pabëra, por edhe përkrahës të punëve të mira, e assesi të jeni propagandues, siç ka ndodhur në disa raste”, ka theksuar Agim