Edhe në shtypin gjerman i është dhënë rëndësi zhvillimeve të fundit të skandalit, që e krijoi Kombëtarja e Serbisë në Katar.
Sport buzer shkruan për hetimet e FIFA-e dhe reagimin që e bëri Federata e Futbollit të Kosovës.
Më posht e gjeni të përkthyer artikullin e gazetës gjermane, transmeton Albanian News.
Në Kupën e Botës në Katar ka telashe për një flamur nacionalist që ishte varur dhe fotografuar në dhomën e zhveshjes së ekipit serb. Për shkak se konturet e Kosovës mund të shihen edhe nën ngjyrat kombëtare serbe, shoqata botërore nisi hetimet të shtunën. Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) kishte kërkuar më parë nga FIFA që të sanksionojë serbët.
“FFK-ja dënon fuqishëm veprimet agresive të Serbisë kundër Republikës së Kosovës në Kupën e Botës 2022” , ka shkruar federata në Twitter. “Kupa e Botës është një ngjarje gëzimi dhe uniteti, ajo duhet të dërgojë mesazhe shprese dhe paqeje, jo mesazhe urrejtjeje. Ne i bëjmë thirrje FIFA-s të marrë masa kundër veprimeve të tilla.”
Republika e Kosovës shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Shumica e të gjitha shteteve gjithashtu e njohin këtë status. Megjithatë, serbët vazhdojnë ta konsiderojnë Kosovën si pjesë të vendit të tyre. Flamuri me mbishkrimin “Kurrë mos u dorëzo” u shfaq edhe nga disa tifozë serbë në stadium gjatë ndeshjes së parë të Kupës së Botës kundër Brazilit (0:2).
Fotoja mesa duket është bërë në dhomën e zhveshjes para ndeshjes së Brazilit. Asnjë lojtar nuk mund të shihet në të, por flamuri është i varur mbi bluzat dhe dollapët e mbrojtësit Milos Veljkovic (Werder Bremen) dhe mesfushorit Andrija Zivkovic (PAOK Saloniki). Një përfaqësues i Werder tha për portalin multimedial Deichstube se Veljkovic e mori vesh për foton vetëm pas ndeshjes. Kur lojtarët serbë u kthyen në dhomën e zhveshjes, aty nuk ishte më një flamur i varur.