Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës. KE analizoi përgatitjet për fillimin e stinorit pranveror dhe konstatoi se organet relevante të FFK-së kanë kryer dhe kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për fillimin sa më të mirë të garave. Gjyqtarët i kanë mbajtur testet e nevojshme dhe kanë treguar përgatitje shumë të mira, duke dëshmuar gatishmëri për fillimin e garave.
Po ashtu edhe klubet i kanë kryer përgatitjet e tyre, sikur edhe kanë bërë transferimet sipas nevojave të tyre. Kështu që, KE vlerëson se çdo gjë është e gatshme për fillimin e garave të stinorit pranveror dhe gjithnjë në përputhje me rrethanat dhe masat e Udhëzimit të IKSHP-s për Covid 19.
KE do të vazhdojë përpjekjet dhe përgatitjet që sa më parë të instalojë edhe sistemin VAR, që do të ishte një ndihmesë e madhe në mbarëvajtjen e garave.
KE gjithashtu do t’i mbështesë klubet në pikëpamje financiare brenda mundësive të lejuara.
KE shqyrtoi dhe miratoi edhe Memorandumin e Bashkëpunimit me Federatën e Futbollit të Turqisë, si shumë të dobishëm në të gjitha fushat e në veçanti në përkrahje të infrastrukturës, organizimin e kampeve për të gjitha ekipet kombëtare si dhe për instalimin e sistemit VAR.
KE diskutoi edhe për zhvillimin e të gjitha ekipeve kombëtare në këtë kohë kur ka reflektuar edhe pandemia Covid 19.
KE shqyrtoi edhe Ankesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi.