Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar aplikuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës për periudhën se kur duhet të votojnë dhe mënyrën si duhet ta dërgojnë fletëvotimin në KQZ.
KQZ-ja ka sqaruar se në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, mund të votohet vetëm për një Subjekt Politik të renditur në anën e majtë të fletëvotimit, ndërsa në anën e djathtë mund të votoni deri në pesë kandidatë nga ai subjekt politik.
Fletëvotimin dhe broshurën me emrat e kandidatëve për secilin subjekt politik mund t’i gjeni në linkun: https://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/
Pastaj duhet respektuar edhe procedura tjetër e dërgimit të fletëvotimit, duke pasur kujdes që të ruhet edhe fshehtësia e votës.
- Fletëvotimin e plotësuar vendosni në një zarf të pashënuar dhe mbylleni. Kjo do të ruajë fshehtësinë e votës suaj.
- Zarfin e pashënuar dhe kopjen e një dokumenti identifikues të vlefshëm vendoseni në zarfin e kthimit, në të cilin e shënoni adresën postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Republika e Kosovës
Votimi Përmes Postës
Posta nr. 6, Kutia Postare 351
10 000 Prishtinë, Republika e Kosovës.
Fletëvotimin përmes postës, duhet ta dërgoni vetëm për vete apo rrethin e ngushtë familjar. Nëse dërgoni fletëvotime për persona të tjerë, fletëvotimet do të refuzohen.
Fletëvotimi duhet të pranohet nga KQZ-ja më së largu deri më 12 shkurt 2021.
102 mijë e 100 votues janë konfirmuar si votues jashtë vendit, teksa KQZ-ja ka përfshinë në listë votuese edhe ata persona që nuk u lajmëruan në telefon.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i personave janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 102 mijë e 100.
Gjithashtu, ajo falënderoi mërgatën për mirëkuptimin e tyre për punën e KQZ-së në afat kaq të shkurtër kohor.
Daka bëri të ditur se më shumë se 80 mijë persona janë lajmëruar në telefon, por e drejta e votës nuk do t’i mohohet askujt, as atyre që nuk janë lajmëruar në telefon.
Dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar Listën Përfundimtare të Votuesve brenda dhe jashtë Kosovës.
Sipas KQZ-së numri i votuesve brenda Kosovës është 1 milion e 794 mijë e 862 votues, apo 143 mijë e 6 votues më pak se në zgjedhjet paralamentare të vitit 2019.
Arsyeja se përse ka më pak votues në këto zgjedhje është për shkak se KQZ-ja ka vendosur që t’i largojë nga lista votuese 122 mijë e 421 persona të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuar nga UNMIK-u. Sipas KQZ-së, dokumentet e UNMIK-ut nuk shërbejnë për t’u identifikuar në vendvotim në ditën e zgjedhjeve.
Po ashtu, KQZ-ja ka larguar nga lista votuese edhe 11 mijë e 86 persona të cilët janë konfirmuar se kanë vdekur.
Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.