Njohësi i çështjeve politike Milazim Krasniqi, ka kritikuar shkuarjen në veri të u.d e presidentes Vjosa Osmanit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, duke e cilësuar si një vizitë të rrezikshme dhe të pamenduar mirë, pasi që sipas tij veriu është jashtë kontrollit dhe duhet të shkohet në bashkëpunim me KFOR-in.
“Mendoj se ka qenë një vizitë e pa menduar mirë edhe me shkallë të lartë të rrezikshmërisë, nuk e kam kuptuar vërtetë motivin e asaj vizite dhe nuk e kam kuptuar lehtësinë me të cilën është vendos që ushtruesja e detyrës së presidentit dhe ish-kryeministri të shkojnë në një zonë që paraqet rrezikshmëri të tillë, merreni me mend po të kishte ndonjë sulm pastaj do të mund të provokoheshin trazira dhe vendi do të eskalonte drejtë jo-stabilitetit, pra ka qenë diçka që definitivisht ata nuk është dashur ta bëjnë, na jemi në një jo- stabilitet permanent si vend për shkak se veriu në shumë aspekte është jashtë kontrollit dhe për këtë arsye atje edhe kur shkojnë zyrtarët duhet të shkojnë me masa të larta të sigurisë dhe domosdoshmërish edhe në bashkëpunim me KFOR-in”, tha ai.
Tutje, Krasniqi tha që fushata para zyrtare që ka nisur nga partitë politike, por edhe tash që do nis zyrtarisht ka filluar keq dhe me tensione të larta.
“Fushata ka filluar keq, ka filluar me tensione të larta e me një tifozëri të panevojshme po them në fund të fundit Kosova është shtet i të gjithë neve dhe ne jemi një popull që ndajmë të njëjta vlera, të njëjtat halle, të njëjtat probleme, për këtë arsye fushata do duhej të ishte me tensione të ulëta, me një mesazh të bashkëpunimit me një mesazh qartësimit të programit të partive politike dhe jo kush kënd po e mund me fjalë të rënda sepse kjo pastaj po ka reflektime tek tifozëria, e pamë edhe atë që ndodhi në Skenderaj, nuk do duhej të ndodhnin gjëra të tilla”, u shpreh tutje profesor Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online.
Mes tjerash Krasniqi apelon partitë politike që të ulin tensionet dhe të japin më shumë mesazhe mirëkuptimi dhe të shmangin këtë gjuhë të urrejtjes e cila sipas tij po prodhohet më shumë në rrjete sociale por pastaj po del në jetën reale.
I pyetur për marrëveshjen Kosovë-Izrael, Krasniqi tha që kjo marrëveshje tregon që SHBA-të janë sponsori kryesor i Kosovës, dhe kjo është një zhvillim shumë pozitiv për vendin.
“Mendoj që është një produkt i marrëveshjes së Washingtonit dhe është nën sponsorizimin direkt të SHBA-ve gjë që tregon që realisht SHBA-të janë sponsori kryesor i Kosovës, në atë aspekt është një zhvillim shumë pozitiv sepse Izraeli është një shtet që ka një reputacion dhe një rrezatim shumë të lartë në politikën ndërkombëtare, prandaj në këtë aspekt po them që u ndal trendi i ç’njohjeve që pati imponuar Serbia dhe tash mbase pritet edhe me administratën Biden që të intensifikohet përkrahja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën, kështu që në këtë aspekt ka qenë një zhvillim shumë pozitiv”, përfundoi ai.