Hoti: Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin thyen bllokadën e njohjeve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, shteti i Kosovës, shënon konsolidim në arenën ndërkombëtare duke krijuar miq edhe në Lindjen e Mesme.

Ai tha se ky zhvillim e thyen bllokadën e njohjeve për Kosovën.

Hoti shtoi se krahas dokumentit për marrëdhënie diplomatike, të dyja vendet kanë nënshkruar edhe disa marrëveshje tjera që fuqizojnë bashkëpunimin ekonomik dhe politik.

I NGJAJSHËM

VETËM DY NJOHJE PËR NËNTË MUAJ

Të hënën, më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, formalizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

Në një konferencë për media, kryeministri Hoti tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tregon qartë për efektin dhe rëndësinë që ka marrëveshja e 4 shtatorit 2020 e arritur në Uashington.

Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit ishte paraparë me këtë marrëveshje të cilën e kishin ndërmjetësuar Shteteve e Bashkuara, dhe e cila ishte nënshkruar nga Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike tregon qartë për efektin dhe rëndësinë që ka marrëveshja e 4 shtatorit dhe i nxjerr gabim kritikët që vazhdimisht e kanë kritikuar këtë marrëveshje, edhe duke e kritikuar dhe mos e pranuar njohjen nga Izraeli e cila ka ndodhë në Shtëpinë e Bardhë dhe sot është konkretizuar”, tha Hoti i cili falenderoi të dyja administratat amerikane për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj marrëveshjeje.