Kreu i Dardanëve: Secili që Kosovën e përdorë si mjet për qëllime tjera, është i ligë!

Kryetari i grupit të tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, ka reaguar sërish në rrjetin social Facebook. Shkrimi i tij i djeshëm kur Adrion Pajazitin e Fulham U-21 dhe Medon Berishën e Lecce i quajti tradhtar, ka ngjallur reagime, pasi ata dy ndërruan Kosovën për të shkuar te Shqipëria. Dhe kishte të atillë që e kritikuan kreun e Dardanëve që i quajti këta dy futbollistë tradhtar, për faktin se ata zgjedhën Shqipërinë e jo një kombëtare të huaj.

Por, Lulzim Berisha ka mbrojtur qëndrimin e tij në shkrimin e tij rreth tradhtisë, teksa ka thënë se askush nuk është kundër që lojtarët të shkojnë te kombëtarja shqiptare, nëse shkojnë si burra.

Reagimi i kreut të Dardanëve:

Te fillojmë nga e para. Tradhti është nëse dikush ik nga Kosova pa asnjë sqarim dhe arsye. Tradhti është nëse e përdorë Kosovën për qëllime tjera. Tradhti është nëse e përdorë Kosovën për të marrë favore diku tjetër. Tradhti është nëse Kosovën e sheh si projekt kalimtar, disa mujor, deri kur të plotësohen kushtet diku tjetër. Të gjitha këto elemente i kanë plotësuar dy të mjerët që u larguan.

Në këtë kam aluduar për tradhti. Kjo është tradhti. Secili që Kosovën e përdorë si mjet për qëllime tjera, është i ligë. Këtu asgjë s’ka të bëjë me Shqipërinë.

Te Shqipëria le të shkojnë të gjithë, por si burra apo me sjellje të hijshme. Askush nuk do t’i sulmoj. Gjithashtu, si të pabesë uroj që të mos vijnë askush te Kosova nga Shqipëria. Kemi nevojë për njerëz që përfaqësojnë vendin tonë, jo për të atillë që përfaqësojnë interesat e menaxherëve dhe të prindërve të pangopur pas shantazheve.

Diçka ta keni të qartë: në çdo vështirësi, në çdo thirrje për t’iu përgjigjur atdheut dhe vetë Shqipërisë, të parët do të jemi ne që sot po mbrojmë interesin e Kosovës e kurrsesi ju që shani, e që askush nuk e di se kush ishit në kohë lufte, në orët vendimtare për të.

Mund të jem me gabime, mund të kem bërë mëkate, por për patriotizëm dhe atdhedashuri ligjërimet të më jepen në rrjete sociale nga disa matrapazë, nuk i toleroj.

Janë disa teste që jepen një herë në jetë, por janë të patjetërsueshme. Ai i imi është dhënë kur digjej Kosova nga armiku, duke marrë guximin të paraqitem në fron, me emblemën e UÇK-së.