Sot e gjithë Evropa flet për ngritjen e madhe që po ndodh këtu. Arritja e Ballkanit në fazën e Grupeve është një arritje historike e cila dëshmon se këtu vërtet po punohet shumë.
Askush nuk kishte besuar që për një kohë kaq të shkurtër të pranimit në UEFA e FIFA, adhuruesit e futbollit tonë do ta ketë përfaqësuesin e tyre në fazën e Grupeve, sigurisht që kjo arrihet fal një punë të madhe dhe një organizimi shumë të mirë të futbollit.
“Sigurisht që ku suksesi nisi që nga licenca e trajnerëve të organizuar nga FFK-ja, pastaj infrastruktura e fushave stërvitore e avancuar dhe kualitative si dhe baza materiale (topa dhe pajisje stërvitore) ku tashmë klubet kanë kushte shumë më të mira për punë. Çdo fëmijë në çdo klub apo në çdo shkollë futbolli i mundësohet zhvillimi i talentit i cili është i jashtëzakonshëm, prandaj arritja e tyre deri te klubet elitare është shumë më i lehtë, atje ku i pret një punë profesionale dhe një ekonomi një ndër më të mirat në Ballkan (duke i falënderuar investitorit dhe sponsoret)”, ka shkruar Agim Ademi, duke shtuar.
“Sigurisht duke e fut këtu edhe tregun e lirë bëhet edhe shtimi i konkurrencës, dhe si rezultat i kësaj është edhe arritjet në garat ndërkombëtare. Këtu duhet falënderuar edhe UEFA-n e cila fal bashkëpunimit të mirë që ka më FFK-në vazhdon ta përkrah në të gjitha drejtimet futbollin tonë dhe ka mundësuar inkuadrimin e katër ekipeve të Superligës në arenën ndërkombëtarë, pastaj në konkurrencën e femrave dhe një në futsall dhe kjo e bënë Kosovën konkurruese në Evropë në kompeticionet e ndryshme siç ishte edhe në këtë vit ku morën pjesë Ballkani, Drita e Gjilani, si dhe fituesi i Kupës Llapi”, vlerësoi numri një i FFK-së.
“Pra ky vit solli shumë të ardhura pikërisht nga këto klube në futbollin kosovar derisa u shënua edhe historia ku për herë të parë Superliga e Kosovës u ngrit në vendin e 33-të të renditjes së UEFA-s duke u renditur ma lart se vendet fqinje të Ballkanit dhe jo vetëm, dhe qershia mbi tortë ishte kalimi i FC Ballkanit në fazën e Grupeve të Konferencë Ligës. Kjo sigurisht është një krenari pasi është ekipa e vetme në këtë rang nga Kosova dhe gjithë kombi shqiptar”, ka thënë Ademi.
“Sonte Ballkani zhvillon ndeshjen historike dhe poashtu edhe të Superligës së Kosovës, unë në emrin tim të KE dhe të gjithë komunitetit të futbollit i dëshiroj sukses dhe rezultat kulminant në këtë kompeticion të garës Evropiane, duke shpresuar me besim të plot qe vitin e ardhshëm në këto gara të kyçët dhe të kaloj edhe ndonjë skuadër tjetër e Superligës tonë e t‘i bashkëngjitet sukseseve te Ballkanit. Uroj që sonte përkrahja e Ballkanit do të jetë e gjithanshme nga tifozët dhe opinioni i gjerë dhe uroj që Ballkani të na e shpërblej me fitore, forca Ballkani”, ka përfunduar Agim Ademi.