Presidenti Ademi viziton FC Ballkanin, i motivon për suksesin historik 

Presidenti Agim Ademi ka vizituar sot skuadrën e Ballkanit para ndeshjes më të rëndësishme në historinë e këtij klubi, por edhe të futbollit kosovar, kundër Shkupit, që zhvillohet të enjten në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Kam ardhur sot këtu për t’iu përgëzuar për suksesin e arritur deri më tash dhe për t’iu falënderuar për përkushtimin e madh që keni treguar në garat evropiane. Atmosfera e mirë në kampin tuaj dëshmon se jeni në rrugë të mirë për ta arritur suksesin historik për futbollin tonë në nivel të klubeve. Ardhja e juaj deri në këtë fazë nuk ka qenë e rastësishme, por proces i punës së palodhshme dhe përkushtimit të të gjithëve në klub. Ju uroj sukses dhe ka besim se të enjten do t’ia dilni mbanë dhe do të na bëni krenarë”, ka theksuar kreu i FFK-së.

Në anën tjetër, presidenti i FC Ballkani, Arsim Kabashi është shprehur i nderuar për vizitën e të parit të FFK-së në prag të ndeshjes së tyre më të rëndësishme në histori.

“Ështe privilegj për ne që sot na ka nderuar me vizitë presidenti i FFK-së. Të gjithë jemi të emocionuar që kemi arritur në këtë pikë për ta përfaqësuar futbollin e Kosovës. Falënderojmë presidentin Ademi për motivin që na jep çdo herë. Jemi me një këmbë në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës. Natyrisht se nuk do të jetë e lehtë t’ia arrijmë këtij qëllimi, por do ta japim maksimumin për ta bërë të lumtur një shtet”, ka thënë Kabashi.

Ballkani ka fituar ndeshjen e parë të “play-off”-it në Shkup, me rezultat 2:1 dhe tashmë i duhet ta menaxhojë këtë rezultat në ndeshjen e kthimit para tifozëve të vet në Prishtinë, për ta siguruar kalimin në fazën e grupeve, që do të ishte suksesi më i madh i klubeve kosovare që nga anëtarësimi në UEFA.