Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk do të bashkëpunoj më Listën Serbe (LS) për rrëzimin e qeverisë Kurti, ani pse sot morën ftesë nga ky grup politik për të bashkëpunuar në rrëzimin e Albin Kurtit nga pushteti.
Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së.
“Jo, qeveria nuk bie asnjëherë për shkak të Listës Serbe”, tha Gashi
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, që është pjesë e kabinetit të qeverisë Kurti, duke udhëhequr ministrinë për kthim dhe komunitete, tha sot për Klan Kosovën se do të rreshtohen me opozitën për rrëzimin e qeverisë Kurti.
Po ashtu edhe të mërkurën, partia e Goran Rakiçit, Lista Serbe thanë se qëllimi i vetëm politik i tyre është rrëzimi i qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.
“E vetmja gjë e vërtetë që tha ministri i frikësuar Sveçla në deklaratën e tij është se Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, i cili është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, thuhej në reagimin e Listës Serbe.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq është takuar sot gjatë ditës me ambasadorin amerikan në Kosovë Jeff Hovenier. Në këtë takim, ambasadori deklaroi se ia ka kumtuar Rakiqit se, nga këndvështrimi amerikan, dy vendimet e qeverisë, janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe janë legjitime.