Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Dumoshi, ka deklaruar se fajtore për mosliberalizimin e vizave është Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo deklaroi se për 10 vite opozitarizëm, Vetëvendosje ka kundërshtuar secilin projekt që forconte shtetësinë e Kosovës dhe zhvillimin e saj.
“Nuk bënin dot dallimin në mes opozitarizimit dhe interesit të vendit, i rëndësishëm ishte marrja e pushtetit me çdo kusht. Një kundërshtim të madh bënë edhe për marrëveshjen me Malin e Zi për shënimin e vijës kufitare, dhe penguan ratifikim e kësaj marrëveshje që hapte rrugë liberalizimit të vizave në zonën Shengen. Për shkak të kundërshtimit tuaj sot jemi pa liberalizim, mundësinë e humbur atëherë nuk po mundemi ta kemi as tash, qytetarët po vazhdojnë të sillen nëpër dyert e ambasadave me një mal dokumentesh”, theksoi Dumoshi.
Deputetja Dumoshi tha se maltretimi i qytetarëve nuk i bënë përshtypje kësaj Qeverie.
“Ky maltretim qytetarëve nuk i bënë përshtypje kësaj qeverie, pasi që pjesa më e madhe e tyre është e pajisur me pasaporta të Shqipërisë dhe udhëtojnë lirshëm”, tha Dumoshi.