Sarah Jessica Parker: Mos më quani ‘trime’ që kam flokë të thinjura

Sarah Jessica Parker nuk po stresohet për moshën e saj.

“Unë thjesht nuk e kuptoj pse duhet të shpenzoj kaq shumë kohë duke menduar për këtë”, tha aktorja e “Sex and the City” për Allure së fundmi.

“Nuk është se jam qëllimisht shpërfillëse. Por nuk e mendoj vërtet. Ka pasur shumë më tepër muhabete për kohën time të kaluar në tokë sesa kam kaluar duke menduar për të vetë”.

Kjo është veçanërisht e vërtetë për flokët e thinjura të Sarah, të cilat dominuan titujt e gazetave verën e kaluar pasi ajo u fotografua duke darkuar jashtë në New York.

“U bënë muaj e muaj biseda se sa e guximshme jam për të pasur flokë të thinjur”, tha ajo. “Isha sikur, ‘të lutem duartrokisni guximin e dikujt tjetër për diçka!’”.

Komentet që mori Parker ishin veçanërisht interesante duke pasur parasysh se ajo ishte jashtë me mikun Andy Cohen në kohën kur u bënë fotot.

“Andy ka një kokë plot flokë të bukur të thinjur. Por askush nuk e përmendi atë, i ulur pranë meje”, tha ajo. “Asnjë person”.