Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka folur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës rreth çështjes së Trustit.
Në fjalën e tij, Haxhiu ka deklaruar se deputetët e opozitës janë vetëm duke përcjell kërkesat e votuesve të tyre.
“Ne jemi vetëm përfaqësues të votuesve tanë, andaj duhet të apelojmë për kërkesat e tyre. Qytetarët e Kosovës janë duke u përballur me vështirësi financiare që nga viti 2019 me pandeminë, pastaj krizën energjetike dhe tash të çmimeve”, ka thënë ndër të tjerash Haxhiu.
Ai ka thënë se në propozimin e tij për mundësimin e tërheqjes së mjeteve të Trustit, qytetarëve do t’i mundësohet tërheqja 10-30 për qind për ata që kanë nevojë.
“Qeverinë e ftojmë të fokuesohet më shumë në kategoritë e tjera të prekura. Pas kësaj, mund të punojmë së bashku edhe për t’i siguruar edhe pensionistëve pensione të dinjitetshme”, ka thënë Haxhiu.
Ai ka ftuar edhe deputetët e LVV-së që të votojnë pro tërheqjes nga Trusti, duke apeluar tek ta që të kalojnë barrierat politike.
“Sot kam drejtë që nga ju kolegë deputet të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga të gjithë deputetët e tjerë të kërkoj votën tuaj, të kalojmë kufizimet politike. Sot ju kërkoj të votoni me integritet, të votoni të lirë, mos bini pre e presionit politik e të bini në kundërshtim me interesin e qytetarëve”, ka thënë Haxhiu.
Ai ka thënë se bashkëpunimi i deputetëve për kalimin e krizës i bashkon të gjithë, andaj në këto raste duhet të tejkalohen interesat partiake.