Ursula von der Layen, Presidente e Komisionit Evropian, ka thënë se Serbia duhet të vendosë se në anën e kujt dëshiron të jetë.
Von der Layen, ka thënë po ashtu se BE-së i duhen prova të qarta se Serbia ndan vlerat e përbashkëta me ta, raporton B92.
“Ne e duam Serbinë me ne, por për këtë na duhen prova të qarta se vendi ndan vlerat tona, si sundimi i ligjit dhe demokracia, dhe se refuzon pushtimin rus”, tha Von der Layen.
Ajo nënvizoi se angazhimi në politikën e jashtme të shteteve që duan të bëhen pjesë e BE-së është shumë i rëndësishëm.
“Sigurisht, presim që të gjithë të tërheqin të njëjtën anë të litarit”, nënvizoi presidentja i KE-së.
Sa i përket anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ajo tha se shpreson se BE-ja do të gjejë një zgjidhje dhe të mbajë premtimet e saja.
“Shpresoj se do të gjejmë një zgjidhje, se më në fund do të jemi në gjendje të përmbushim premtimin tonë dhe të fillojmë negociatat e anëtarësimit. BiH, për shembull, mund të hyjë në negociatat e aksesit menjëherë kur të përmbushë 14 pikat kryesore. Ka pasur shumë përparim dhe kjo duhet pranuar,” tha von der Layen.