“Sunny Hill Festival 2022” mbahet në Prishtinë dhe Tiranë, Veliaj: Një super lajm

Festivali “Sunny Hill” është rikthyer në kryeqytetin e Prishtinë, pas anulimit të tij ditë më parë.

Por, përveç në Prishtinë, për herë të parë festivali do të mbahet edhe në Tiranë kanë njoftuar organizatorët.

Pas këtij lajmi ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.

“Sunny Hill Festival – edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë! Shumë i lumtur që edicion special i këtij viti i “Sunny Hill Festival”, do të mbahet në Prishtinë në 4,5,6, e 7 gusht, kurse në Tiranë në 26, 27, dhe 28 gusht. Një super lajm. Bashkë”, ka shkruar Veliaj në postim.

Theksojmë që ditë më parë festivali u anulua në Prishtinë për t’u zhvendosur në Tiranë, ndërkohë tashmë pritet të mbahet në të dyja kryeqytetet.

Në festival tashmë janë bërë të ditur disa prej performuesve që do të jenë pjesë e tij, teksa është njoftuar se në ditë në vazhdim do të bëhen të ditur edhe emra të tjerë, në mesin e tyre edhe dy artistë të mëdhenj botëror.

Kujtojmë që, festivali po rikthehet këtë vit pas një pauze dyvjeçare për shkak të pandemisë COVID-19.