Festivali “Sunny Hill” rikthehet në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se festivali “Sunny Hill” do të mbahet në Prishtinë më 4, 5, 6 dhe 7 gusht të këtij viti.

Pasi festivali u zhvendos një herë në Tiranë për shkak të zvarritjes së procedurave të dhënies në shfrytëzim të pronës komunale, Rama sot ka bërë të ditur se ky festival do të kthehet në “shtëpinë e vet”.

Kryetari i Prishtinës ka thënë se Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival kanë bashkuar forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet.

Sa i përket dhënies në shfrytëzim të pronës komunale, Rama ka thënë se kjo çështje do të diskutohet edhe pak deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Gjithashtu, i pari i Prishtinës ka bërë të ditur se festivali “Sunny Hill” do të mbahet edhe në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.

Njoftimi i plotë:

Deklaratë e përbashkët e Ministrisë së Kulturës (në emër të Qeverisë së Kosovës), Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill Festival.

Sunny Hill Festival mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.

Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë.

Institucionet qëndrore dhe lokale bashkarisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm.

Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali Sunny Hill të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë.

Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.

Në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror.

Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë.

Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival.