Çka ndodhi në seancën gjyqësore që u mbajt sot për vrasjen e Donjeta Pajazitit?

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj është caktuar seanca për fjalën përfundimtare të martën në ora 09:30 për vrasjen e Donjeta Pajazitit.

Prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj ka kërkuar që fjala përfundimtare të jepet sot. Këtë e ka kundërshtuar avokati mbrojtës i të akuzuarit, Ahmet Tahiri. I njëjti ka thënë se nuk është i gatshëm për fjalën përfundimtare dhe se kërkon kohë për përgatitjen e fjalës të cilën do ta parashtrojë më shkrim.

Gjatë ditës është dëgjuar edhe eksperti Besim Hasani nga AKF-ja. I njëjti ka deklaruar se si ekspert nuk ka njohuri që dikush në Kosovë ka mundësi të bëhet identifikimi i fotografive dhe videove që jane shfaqur sot gjatë seancës.

Ahmet Tahiri si mbrojtje e të akuzuarit ka propozuar që te ftohet Qendrim Jusaj dhe Nehdi Jusaj në mënyrë që të qartësojë nëse vërtetë intervistimi i Qendrimit nga togeri është bërë në prani të prindit.

Ky propozim është kundërshtuar nga prokurorja si shkak se Nehdi Jusaj nuk është babai, por është xhaxhai i Qendrim Jusajt. Ky propozim është refuzuar nga trupi gjykues.

I akuzuari Naser Pajaziti deklarohet se do të mbrohet në heshtje dhe se i referohet deklaratës që e ka dhënë në prokurori, por jo edhe asaj në polici.