Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka lëshuar komunikatë pas vendimit të Gjykatës Supreme në lidhje me faturat e rrymës.
ZRRE me anë të një komunikate për media ka thënë se tarifat e shtrenjta do të mbeten në fuqi.
“Ashtu siç kemi theksuar edhe më herët, Bordi i Zyrës së Rregullator të Energjisë gjatë gjithë punës së tij ka zbatuar në mënyrë të drejtë dispozitat ligjore në fuqi dhe ka ushtruar funksionet në mënyrë të pavarur”, ka thënë ZRRE.
Reagimi i plotë:
Zyra e Rregullatorit për Energji, njofton opinionin se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit ARJ nr.45/2022, ka ndryshuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe ka refuzuar si të pabazuar kërkesën-propozimin e paditësit, për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Përmes këtij Aktgjykimi të Gjykatës Supreme, vendimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji i marrë me 8 shkurt 2022, mbetet në fuqi.
Ashtu siç kemi theksuar edhe më herët, Bordi i Zyrës së Rregullator të Energjisë gjatë gjithë punës së tij ka zbatuar në mënyrë të drejtë dispozitat ligjore në fuqi dhe ka ushtruar funksionet në mënyrë të pavarur.
Bordi i ZRRE-së rikujton se çmimet e përcaktuara janë duke garantuar qëndrueshmëri dhe siguri në sistemin energjetik, rrjedhimisht reflektojnë kostot e sistemit. Mbrojtja e konsumatorëve dhe e gjithë sistemit energjetik janë thelbësore për zgjidhje sistematike dhe afatgjate.