Zelensky bën thirrje për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të rrisë regjimin e sanksioneve ndaj Rusisë, ku ka kërkuar një paketë të shtatë masash ndëshkuese kundër Moskës.

27 vende të BE-së ranë dakord në fund të muajit të kaluar për një paketë të gjashtë sanksionesh që do të ndalonte shumicën e importeve të naftës ruse, por përjashtuan naftën e papërpunuar që shpërndahet përmes tubacioneve, për shkak të kundërshtimeve të Hungarisë.

Në një fjalim me video-lidhje drejtuar të dy dhomave të parlamentit çek më 15 qershor, Zelensky falënderoi Republikën Çeke për ndihmën e dhënë Ukrainës deri më tani, por i kërkoi Perëndimit që të mos e ndalojë mbështetjen për vendin e tij.

“Ne jemi me ju, jini edhe ju me ne,” u tha Zelensky ligjvënësve çekë, të cilët e duartrokitën atë.

Zelensky gjithashtu i bëri thirrje BE-së që t’i japë Ukrainës statusin e kandidatit – hapi i parë në rrugën e gjatë shumëvjeçare drejt anëtarësimit në bllok.

Ai paralajmëroi gjithashtu për ambiciet territoriale të Rusisë, duke thënë se presidenti Vladimir Putin nuk do të mjaftohet vetëm me pushtimin e Ukrainës.

“Rusia nuk është e interesuar vetëm për Mariupolin, Severodonjeckun, Kharkivin dhe Kievin. Jo, ambiciet e saj janë projektuar në një zonë të gjerë, nga Varshava në Sofje”, tha ai.

“Si në të kaluarën, pushtimi rus i Ukrainës është hapi i parë që i duhet udhëheqjes ruse për të hapur rrugën drejt vendeve të tjera, drejt pushtimit të popujve të tjerë”, tha ai.

Republika Çeke merr presidencën e rradhës të BE-së më 1 korrik.