Komisioni për Punë të Jashtme i PE-së: Njohje e ndërsjellë Kosovë – Serbi, Beogradi të sanksionojë Moskën

Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, bëri thirrje të martën që marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të “mbështetet në njohjen e ndërsjellë” dhe Serbia t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Thirrjet janë pjesë e raporteve të këtij komisioni për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, që më pas do të debatohen në Parlamentin Evropian.

Komisioni tha se mbështet bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe “rithekson rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga ana e autoriteteve të Serbisë dhe Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, të mbështetur në njohjen e ndërsjellë, që është thelbësore për të dyja vendet”. Komisioni bëri thirrje që të gjitha marrëveshjet e kaluara të respektohen dhe të zbatohen plotësisht në mirëbesim dhe në kohën e duhur, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

 

 

Është kjo hera e parë që një komision i këtij parlamenti përmend njohjen e ndërsjellë. Thirrja u bë vetëm pak ditë pasi një gjë të tillë e kërkoi edhe kancelari gjerman, Olaf Sholz gjatë një vizitë në Prishtinë dhe në Beograd, duke nxitur reagimin e zemëruar të Serbisë e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Komisioni bëri thirrje Serbisë që të harmonizojë qëndrimin e saj ndaj Rusisë me politikat Bashkimit Evropian si veprim “përcaktues i përparimit të përgjithshëm të Serbisë në procesin e anëtarësimit”.

Serbia është vendi i vetëm në rajon që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

Të hënën ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Serbia duhet të vendos nëse “pozicioni neutral” është i qëndrueshëm. Ambasadori amerikan u tha gazetarëve në Beograd se ajo që po ndodhë në Ukrainë “është sulm brutal…dhe vazhdimi i vrasjes së civilëve, është krejtësisht i papranueshëm në këtë shekull”. Një zhvillim i tillë, tha ai, nuk është parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

“Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se bota ka ndryshuar që nga muaji shkurt dhe ne të gjithë duhet të mendojmë sërish se ku jemi, cili është pozicioni ynë dhe ku duam të jemi në të ardhmen”, tha ambasadori amerikan.

Muajin e kaluar, ambasadori Hill, tha në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës, se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian presin që Serbia t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, por është Beogradi ai që duhet të vendosë dhe nuk ka trysni mbi të për këtë çështje. Ambasadori Hill tha se Serbia “duhet të mendojë sërish”, nëse beson se Rusia do ta ndihmojë rreth çështjes së Kosovës.

Vuçiç: Na pret trysnia për Kosovën dhe sanksionet kundër Rusisë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të martën se pret kritika të ashpra ndaj Serbisë në lidhje me Kosovën dhe “masat kufizuese” ndaj Rusisë.

Duke komentuar thirrjet e Komisionit të Parlamentit Evropian ai tha se në “kuadrin e bisedimeve me BE-në”, zyrtarisht kërkohet “normalizimi i plotë i marrëdhënieve ” ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por askund nuk përmendet “njohja e ndërsjellë”.

“Sa i përket çështjes së shtetësisë dhe tërësisë tokësore, ne e respektojmë të drejtën ndërkombëtare, së cilës i referohet e gjithë bota. Ne vetëm përsërisim atë që perëndimi vazhdimisht e thotë kur bën thirrje për respektimin e tërësisë tokësore të Ukrainës”, tha presidenti serb.

Agresioni rus në Ukrainë ka bërë që të shtohet diskutimet për nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për të siguruar rajonin për ardhmërinë evropiane.

Në këtë kuadër sonte dhe nesër në në Kosovë do të qëndrojë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Kosova dhe Serbia aspirojnë integrimet por kusht është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre. Javën e kaluar kancelari gjerman tha se është e papërfytyrueshme që të integrohen vendet që nuk e njohin njeri tjetrin.