Jo vetëm Kurtit, edhe Konjufcës dhe ministrit Peci do t’i kontrollohet sërish pasuria

Agjencia Kundër nga sot deri në fund të këtij viti do të bëjë kontrollimin apo hetimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik.

Përmes shortit të tërhequr sot, pasuria e shumë emrave të njohur publik do të jenë nën kontroll të Agjencisë Kundër Korrupsionit, nga ku do të bëhet gjetja se sa përshtatet deklarimi i pasurisë së tyre.

Gjatë shortit të tërhequr sot nga Agjencia Kundër Korrupsionit është bërë e ditur se përpos kryeministri Albin Kurti, pasuria do t’i hetohet edhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca si dhe ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.

Po ashtu kontrolli i pasurisë pritet t’u bëhet edhe disa prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj ka deklaruar se për të evituar lëshimet eventuale gjatë këtij procesi, Agjencia Kundër Korrupsionit përmes personave kontraktues, javën e kaluar ka dërguar te subjektet deklaruese regjistrat e deklarimit të pasurisë dhe tashmë ka pranuar përmirësimet nga ta.

Ndryshe janë 14 zyrtarë publik të cilët nuk kanë deklaruar pasurinë.