Ish-ministri britanik për Europën, Denis MacShane, ka akuzuar Bashkimin Evropian për, siç e quan ai, sjellje në mënyrë të turpshme ndaj shteteve të Ballkanit. Ai ka përmendur edhe çështjen e pesë shteteve mos-njohëse evropiane të sovranitetit të Kosovës.
Në një letër të publikuar në “Financial Times”, MacShane citohet të ketë thënë se BE-së i pëlqen ta shohë veten si lojtare botërore, por “fanatizmin nacionalist mendjengushtë” kundër popujve të Ballkanit Perëndimor e ka quajtur “të turpshëm”.
“Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia e Qiproja refuzojnë ta njohin ekzistencën e Kosovës edhe pas më shumë se 20 vite që prej luftërave të Millosheviqit. Është sikur në fund të viteve të ’60-a, kur Franca dhe Gjermania të refuzonin ta pranonin statusin e njëra-tjetrës”, citohet të ketë thënë ish-kryediplomati britanik në letër.
“Vladimir Putin natyrisht që mbështet pikëpamjen e Serbisë, se Kosova ende është krahinë e shkëputur e saj”, ka shkruar ai.
MacShane ka shërbyer si ministër i Britanisë për Evropën gjatë viteve 2002-2005.