Për dallim nga thuajse gjithë të tjerët që uruan dje Ditën e Çlirimit, ishte e vetmja ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla e cila nuk përmendi fare Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo nuk harroi të përmend KFOR-in, NATO-n, e shumë të tjerë , por jo edhe UÇK=në.
E pas kësaj, reagime të shumta pati në drejtim të deklaratës së Gërvallës.
Së fundi lidhur me këtë ka reaguar edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.
Ai ka shpërndarë një citat të gazetarit britanik, Tim Judah, që kishte mbuluar luftën e Kosovës, e i cili kishte deklaruar se “nëse s’do të ekzistonte UÇK-ja, ata (serbët) do të ishin akoma atje”, transmeton lajmi.net.
Haliti citon Judah të ketë thënë: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet të renditet si njëra ndër lëvisjte më të suksesshme guerile në historinë moderne. Brenda nëntëmbëdhjetë muajve nga dalja e saj publike, ajo i përmbushi qëllimet e saj – pasi arriti të nënkontraktojë aleancën më të fuqishme ushtarake për qëllimet e luftës së saj. Në fund të fundit nuk ka rëndësi se si u dëbuan serbët nga Kosova. Ajo që ka rëndësi është se ata kanë qenë në Kosovë – dhe nëse nuk do të ekzistonte UÇK, ata do të ishin akoma atje”.
Gazetari britanik ka shkruar disa libra për gjeopolitikën në Ballkan, shumica prej tyre të fokusuar për Kosovën dhe Serbinë. Përveç Ballkanit, Judah aktualisht është korrespodent për “The Economist” edhe për Kievin.
Ministrja Gërvalla dje nxiti reagime të shumta me postimin e saj në Facebook, ku ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës, pa përmendur UÇK-në.
“Mrekullia e para 23 vjetëve nuk mund të arrihej pa një sakrificë të jashtëzakonshme të vetë Kosovës, pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve anembanë botës dhe pa ndihmën e pazëvendësueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Në një ditë si kjo i kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, ata që luftuan pa u ndalur me përkushtim dhe sakrificë të jashtëzakonshme, të gjithë ata që kontribuan në të gjitha format për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Fitimtarë jemi gjithmonë atëherë, kur jemi të bashkuar. Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm. 12 qershori duhet të na përkujtojë gjithmonë se sa i rëndësishëm është zhvillimi dhe forcimi i Republikës së Kosovës”, ka qenë urimi i Gërvallës dje.