Haskuka nuk merret me keqpërdorimet milionëshe, por shfrytëzon rastin që ta sulmojë gjyqësorin e mediat

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet pas raportimeve të fundit për disa raste të keqpërdorimit të miliona eurove në ministrinë e Punëve të Jashtme, e mijëra eurove të tjera në ministri të Infrastrukturës të drejtuar nga Liburn Aliu.

Përmes një njoftimi për media, Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se ka filluar procedurën e verifikimit dhe hetimit për të gjitha shkrimet e publikuara në media.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se ka filluar procedurën e verifikimit dhe hetimit për të gjitha shkrimet e publikuara ditëve të fundit në media lidhur me rastet e dyshuara për korrupsion”, thuhet në njoftim.

Rreth këtyre raportimeve për korrupsion ku dyshohet të jenë të përfshirë ministrat Liburn Aliu, Fikrim Damka dhe Donika Gërvalla, ka reaguar ish kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Haskuka në reagimin e tij ka gjetur hapësirë që t’i sulmoj mediat.

Ish kryetari i Prizrenit, ka thënë se, shumë media do të duhej të falimentonin, teksa iu referohet raportimeve të fundit lidhur me korrupsion në Qeverinë Kurti II.

“Shpifja është krim i rëndë, juria në shtetin Virixhina (SHBA) ka vendosur në favor të aktorit Johny Depp, 15 milionë dollarë si dëmshpërblim dhe dëme ndëshkuese pasi ai e fitoi procesin gjyqësor për shpifje. Të kishin qenë gjykatat tona si në Amerikë, një pjesë e madhe e medieve tona kishin falimentuar, duke e marrë parasysh sasinë e shpifjeve dhe dezinformatave. Liria e shprehjes NUK është liri e shpifjes”, ka thënë Haskuka.