​Gjykimi ndaj Mustafës, kundër-dëshmia e dëshmitarit të prokurorisë dëgjohet në seancë private

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar të dëgjohet kundër-dëshmia e një dëshmitari të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës. Me kërkesë të ZPS-së dhe aprovim të trupit gjykues, dëshmitari i mbrojtur po dëgjohet tërësisht në seancë private.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia ka dhënë urdhër që dëshmitari të dëgjohet në seancë private, për çka ka përmendur paragrafin 3 të rregullës 20 ku parashikohet mundësia që të mbahen edhe seanca të mbyllura, për shkak të mbrojtjes psikologjike të dëshmitarit dhe interesit të drejtësisë.

“Mbështetur në informacionin që iu dha trupit gjykues nga Zyra për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe pasi vlerësuam se është në interes të drejtësisë të garantojmë se dëshmitari ta jep dëshminë në mënyrë të lirë, trupi gjykues aprovon kërkesën e ZPS-së për ta marrë dëshminë e dëshmitarit tërësisht në seancë private”, ka thënë ajo.

Pas urdhrit të lëshuar nga kryetarja e trupit gjykues, seanca ka vijuar private.

Kundër-dëshmia e këtij dëshmitari të ZPS-së vjen pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe ana e prokurorisë dhe nga mbrojtja e Mustafës.

Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara. Ndërsa mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.

Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar.