Bundestagu nuk e ka precizuar nëse kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën më 10 qershor, ashtu siç është raportuar më herët jo-zyrtarisht. Mirëpo, të njëjtit kanë dërguar një deklaratë të kancelarit gjerman, i cili njofton se do ta vizitojë rajonin përpara mbledhjes së Këshillit të Europës në Bruksel, që pritet të jetë mbahet më 23-24 qershor.
Në një përgjigje nëpërmjet e-mailit, një zëdhënës i qeverisë gjermane për lajmi.net ka bërë të ditur se emërimet dhe udhëtimet e kancelarit gjerman bëhen të ditura të premteve, duke përcjellë deklaratën e javës së kaluar të Scholz, i cili tha se vizita e Ballkanit Perëndimor përpara takimit në Këshillin e Europës dërgojnë mesazh se rajoni i përket BE-së.
“Prandaj, BE-ja tani duhet t’i japë Ballkanit Perëndimor atë që po kërkon. Dhe kjo është ajo për të cilën jam angazhuar: të zhvilloj bisedime për të arritur përparim në negociata dhe gjithashtu të largoj pengesat e fundit brenda BE-së duke ringjallur të ashtuquajturin Procesi i Berlinit, i cili forcon bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe duke udhëtuar në rajon përpara Këshillit Europian në qershor, me një mesazh të qartë nga bagazhi im: Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit uvropian”, kishte deklaruar Scholz javën e kaluar, sipas zëdhënësit të Bundestagut.
Mbledhja e Këshillit të Europës pritet të mbahet në Bruksel nga 23 deri më 24 qershor. Sipas agjendës së përkohshme, temë diskutimi do të jenë zgjerimi i Europës, Ukraina dhe konferenca për të ardhmen e Europës.
Mediumi gjerman, Deutsche Welle, me burime ka raportuar se më 10 qershor Scholz pritet ta vizitojë Prishtinën, Beogradin dhe udhëtimin të synojë ta shndërrojë në një “turne të vogël ballkanik” me vizita në Tiranë e Shkup.
Mediumi në fjalë citoi gazetarin e FAZ-it, Michael Martens, i cili kishte raportuar në Twitter-in e tij se Scholz do të vinte në Beograd më 10 qershor.
Në konferencën e javës së kaluar, Scholz ka thënë se integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nuk është më çështje e besueshmërisë së unionit europian, por edhe e interesit strategjik të kësaj të fundit.
“Fakti që nuk ka rrugë të shkurtra në rrugën drejt BE-së është gjithashtu kërkesë drejtësie ndaj gjashtë vendeve në Ballkanin Perëndimor. Prej vitesh ata [Ballkani Perëndimor] kanë ndërmarrë reforma intensive dhe po përgatiten për anëtarësim. Mbajtja e premtimeve ndaj tyre nuk është vetëm çështje e besueshmërisë sonë. Tani më shumë se kurrë, integrimi i tyre është edhe në interesin tonë strategjik”, ka thënë ai në konferencën e së premtes së kaluar.
Drejtuesi i qeverisë gjermane ringjalljen e Procesit të Berlinit e ka përmendur edhe në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pas takimit që patën në Berlin.
“Vullneti është shumë i madh për të bërë ndryshime. E para është rigjallërimi i procesit të Berlinit. Ne dëshirojmë ta nxisim. Dhe e dyta është çështja e integrimit europian. Kjo është një perspektivë realiste. Ia vlen të merren vendime dhe ia vlen të biem dakord për këtë gjë”, deklaroi Scholz.
Kurti, në anën tjetër, në po të njëjtën konferencë ka thënë se Kosova e mbështet Procesin e Berlinit e jo iniciativat paralele, duke aluduar në Ballkanin e Hapur.
Nga Procesi i Berlinit, janë katër marrëveshje të lëna peng nga kancelaria e kaluar që janë kërkuar të arrihen me urgjencë me shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë si vijojnë: liria e udhëtimit me ID, lirinë e udhëtimit për shtetasit e vendeve të treta dhe për njohjen e kualifikimeve akademike dhe njohjen e atyre profesionale.
Procesi i Berlinit është nisur si inicativë diplomatike më 2015-ën për zgjerimin e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor.