Trupat ushtarake ruse i janë afruar edhe më shumë qendrës së qytetit lindor ukrainas, Severodonjeck më 31 maj.
Luftimet lagje për lagje kundër forcave ukrainase, kanë shndërruar qytetin në gërmadha.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se situata në rajonin lindor, Donbas, është “jashtëzakonisht e rëndë”, pasi Rusia ka angazhuar forcën më të madhe ushtarake atje.
“Situata në Donbas është shumë e rëndë. Ushtria ruse është duke tentuar të mbledhë forcat në zona të caktuara për të rritur presionin ndaj mbrojtësve tanë. Në Donbas është mbledhur e gjithë forca e ushtrisë ruse”, ka thënë Zelensky në një adresim para popullit në orët e vona të 30 majit.
Leonid Pasechnik, lideri separatist i mbështetur nga Moska në rajonin ukrainas të Luhanskut, ka thënë për agjencinë ruse të lajmeve, TASS se një e treta e Severodonjeckut “është nën kontrollin tonë”, mirëpo se përparimi rus nuk ka qenë aq i shpejtë sa është pritur.
Inteligjenca britanike ka konfirmuar më 31 maj se janë duke vazhduar bombardimet në këtë qytet, dhe se luftimet nëpër rrugë besohet se janë duke ndodhur në hyrje të qytetit.
“Përparimi ka qenë i ngadalshëm, mirëpo fitore janë arritur”, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes në raportin e saj ditor, duke shtuar se synimi politik i Moskës duket se është kontrollimi i gjithë rajoneve Donjeck dhe Luhansk.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë për një media franceze se “çlirimi” i rajonit të Donbasit është “prioritet” për Rusinë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi dhe Kievi e shohin këtë arsyetim si të rremë për nisje të luftës.