Shefi dyshohet se sulmoi seksualisht punëtoren e një furre buke në Fushë-Kosovë, Prokuroria deklarohet lidhur me rastin

Një sulm seksual raportohet të ketë ndodhur ditën e djeshme në Fushë-Kosovë.

Policia e Kosovës ka arrestuar një person, nën dyshimin se i njëjti ka ngacmuar seksualisht viktimën femër.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit.

Në detajet e para të dhënat për këtë rast është theksuar se femra e cila është sulmuar seksualisht në këtë rast ishte punëtore në një furrë buke në Fushë-Kosovë.

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar zëdhënësen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Ulaj theksoi se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një person i dyshuar, për shkak të veprës penale “Sulmi seksual”.

E njëjta tha se ndaj të dyshuarit do të ndërmerren veprimet procedurale-ligjore, derisa në koordinim me policinë, Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se më 30 maj 2022, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një (1) person i dyshuar, për shkak të veprës penale “Sulmi seksual”, nga neni 229 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprimet procedurale-ligjore, derisa, prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore për t’i sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.”.

E në raportimet e para për rastin e ndodhur në Fushë-Kosovë është theksuar gjithashtu se i dyshuari në këtë rast i kishte ofruar viktimës edhe para, në mënyrë që ajo të heshte lidhur me këtë ngjarje.

Gjatë viteve të fundit në Kosovë pati raportime të shumta për sulme seksuale.

Madje shumë prej viktimave nga këto raste kanë raportuar rastet e tyre në organet e hetuesisë.

Por, pavarësisht kësaj janë të pakta rastet kur të dyshuarit për sulme seksuale e që shpesh herë kanë përfunduar me dhunime kanë përfunduar për kohë të gjatë prapa grilave.