Presidentët shqiptarë: Kuvendi i Junikut platforma më e pastër kombëtare për çlirim

Presidentët shqiptarë e kanë konsideruar Kuvendin e Junikut si platformën më të pastër politike, ushtarake, e kombëtare për çlirim. Në shënimin e 110-vjetorit të këtij kuvendi, Vjosa Osmani dhe Ilir Meta, kanë deklaruar se kjo ngjarje ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në bashkërendimin e përpjekjeve të popullit shqiptar për organizimin e kryengritjes.

Presidentja Vjosa Osmani në shënimin e Kuvendit të Junikut, deklaroi se kjo është një nga përvjetorët më të rëndësishëm të historisë kombëtare.

“Në historinë e popujve të lashtë, sikurse ky i uni, ekzistenca e cila matet me mijëvjeçar, 110 vjet histori nuk janë edhe shumë. Por, në historinë e mijëvjeçarëve të popujve janë disa ngjarje të cilat gjithmonë bartin mesazh frymëzues, ngase arrijnë që copëzat e historisë t’i ndërlidhin në harkun e ambicieve të tyre. Kuvendi i Junikut i mbajtur nga 21 deri më 25 maj 1912 në kohën e vlimeve të mëdha dhe përpjekjeve të pafundme të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi dhe synimeve grabitqare të fqinjëve, shënon jo vetëm ngjarje të rëndësishme historike por edhe shembull të artikulimit të qartë politik dhe të kërkesave të popullit tonë për liri, duke i artikuluar ato në një platformë të pastër kombëtare”, ka deklaruar Osmani.

Kjo platformë, siç tha Osmani, ka përfshirë dimensionin nacional, politik dhe ushtarak. Ajo shtoi se Kuvendi i Junikut ka një peshë të madhe në përpjekjen për pavarësi në trojet shqiptare.

“Kuvendi i Junikut u mbajt në një moment vendimtar të historisë së popullit shqiptar dhe u dha krahë përpjekjeve të tij për mvetësim. Ajo hyn në rrjedhën e ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, duke qenë se ofroi platformë të qartë për lirinë e tij. Në mënyrë të mahnitshme nga 21 deri më 25 maj të vitit të pavarësisë, përfaqësues të trevave të ndryshme shqiptare të vilajeteve të atëhershme, u mblodhën bashkë në këtë vend të qëndresës historike, të cilat e simbolizojnë sot kullat e gurta, kaq të bukura”, ka shtuar ajo.

Nga Juniku, kryetarja e shtetit tha se kuvendi i mbajtur 110 vjet më parë, shënon pikën e orientimit për veprim politik e kulturor. Sipas saj, kjo jep mesazh se vetëdija kombëtare ishte ngritur në nivel të lartë.

E presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u shpreh se çdo shqiptarë krenohet me veprën e lavdishme të burrave të cilat lëshuan kushtrimin në Junik për liri dhe pavarësi.

“Para 110 viteve, Juniku u bë logu i Kuvendit për 250 burra, trima, të pendës e të pushkës në krye me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin dhe shumë patriotëve të tjerë. Për katër ditë dhe netë u diskutua dhe u debatua për bashkimin dhe fillimin e një kryengritje të përbashkët në Kosovë dhe në mbarë veriun e Shqipërisë, për lirinë dhe pavarësinë e trojeve kombëtare. Në atë Kuvend në një moment vendimtar të historisë tonë kombëtare, u lidh besa për çlirimin e trojeve shqiptare nga zgjedha 500 vjeçare osmane. Kuvendi i Junikut paraqiti platformën e pastër politike dhe ushtare, kombëtare për çlirim. Treguesi më i qartë për këtë qëndrim ishin edhe 12 pikat e programit që u bë edhe platforma kryesore e lëvizjes mbarëkombëtare për liri dhe për pavarësi”, ka deklaruar Meta.

Në 110 vjetorin e Kuvendit të Juniku, kryetari i komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu tha se datat 21 deri më 25 maj i takojnë ngjarjeve më të mëdha të historisë.

“Ngase në këtë vend do të vihen bazat e shtetit shqiptar. Edhe sot, 110 vjet pas, Kuvendit të Junikut, mesazhet dhe idealet e ideologëve si të Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Curri e shumë atdhetarëve të tjerë, duhet të jenë shembulli më i mirë se si duhet punuar e angazhuar në shërbim të popullit shqiptar. Juniku ynë në të gjitha etapat e historisë tonë është rreshtuar krah me të drejtën e popullit dhe kombit tonë. Si i tillë, junikasit do i gjejmë pjesë të të gjitha proceseve të mëdha politike e historike të kombit tonë në përgjithësi”, ka thënë ai.

Historiani Frashër Demaj tha se vendimet e Kuvendit të Junikut motivuan edhe më shumë ideatorët e kryengritjes, ku u përkrah edhe në kuvendet krahinore dhe tubimet e vogla në gjithë vendet shqiptare. Për çka, qeveria turke ndërmori masat për pengimin e masivizimit të kryengritjes.

Kuvendi u mblodh me nismën e Hasan Prishtinës dhe në të morën pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, Shkodrës dhe të Elbasanit. Në këtë formë, u paralizuan veprimet e elementëve turkomanë në radhët e lëvizjes.