Një alarm për bombë në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, i dërguar përmes postës elektronike, ka bërë që policia të evakuojë nxënësit dhe personelin e shkollës.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prishtinës.
“Sot rreth orës 11:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në shkollën ‘Xhevdet Doda’ në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike”, ka thënë Borovci.
Ai ka thënë se policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën në atë zonë.
“Ndërkohë që në një perimetër të caktuar policia ka evakuuar nxënësit dhe personelin e shkollës, specialist të policisë po trajtojnë dhe verifikojnë informatën”, ka thënë Borovci.