Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar dje se me kërkesë të ndërmarrjes regjionale “Hidro-Drini” në Pejë, janë marrë mostra të ujit të pijes nga disa fshatra të Deçanit, nisur nga shqetësimi se uji është turbulluar si pasojë e të reshurave.
Në lidhje me këtë, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se i ka dërguar për analiza mostrat e ujit.
Ai gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shqetësohen pasi “gjendja është nën kontroll”.
“Në komunën e Deçanit ditët e fundit ka pasur reshje të shpeshta të shiut dhe meqë komuna jonë para një viti është përballur me një valë të madhe të helmimeve të qytetarëve nga uji i pijes, për shkaqe sigurie sot në mëngjes i jam drejtuar IKSHKP-së, Insitutit Rajonal në Pejë dhe Ndërmarrjes Rajonale Hidrodrini në Pejë me kërkesën për Analiza të ujit të pijes. I lus qytetarët që mos të shqetësohen sepse gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik”, thuhet në postimin e Ramosajt.