Kosova fillon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Qeveria ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe”.

“Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj.”, thuhet në njoftimin për media.

Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Paralajmërimi i mundësisë së aplikimit të Kosovës në KE ishte bërë muaj më parë. Muaji maj ishte paraparë si mundësi e veprimit të shtetit të Kosovës, për të aplikuar në Këshill.

Madje ishte njëri prej gazetarëve gjerman, Michael Martens i cili pati paralajmëruar se me largimin e Rusisë nga ky Këshill, Kosova do të tentojë të aplikojë për t’u bërë pjesë e shumë shteteve në Këshillin e Evropës.

Martens në shkrimin e tij në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, më tej thekson se Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për anëtarësim në KiE pas zgjedhjeve në Francë, ndërsa kjo pastaj mund të çojë në pranimin e Kosovës në vitin 2023.

Po ashtu është edhe vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili mbrëmë ka paralajmëruar që Kosova sot do të aplikojë për në Këshill të Evropës.

Ky paralajmërim i Vuçiq-it erdhi pas darkës që liderët e Ballkanit Perëndimor patën me shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Madje Vuçiq dukej tepër i shqetësuar për këtë hap të Kosovës sa shkoi dhe më larg duke paralajmëruar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Serbisë për ditën e sotme.

Ndryshe Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore. Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Përmes konventave ndërkombëtare. Në to përfshihen Konventa për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave, kundër dhunës në familje, si dhe Konventa për krimet kibernetike.

Këshilli monitoron përparimin e vendeve anëtare dhe bën rekomandime përmes trupave të ekspertëve. Vendet anëtare të Këshillit të Evropës nuk kanë më ligje që mundësojnë dënime me vdekje.

Për vitin 2022, Këshilli i Evropës ka buxhet prej 477 milionë eurosh. Buxheti krijohet kryesisht nga kontributet e vendeve anëtare.

Kontributet bazohen në një formulë që merr parasysh bruto-prodhimin e brendshëm.

Në mesin e vendeve që kanë kontribuuar më shumë deri më tash janë: Franca, Gjermania, Italia, Federata Ruse dhe Mbretëria e Bashkuar.