Të premten në Bruksel, mbahet raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi. Kryenegociatori i Kosovës dhe ai i Serbisë, do të diskutojnë për temën e të zhdukurve, targat e automjeteve dhe energjinë në veri. Përveç dakordimit eventual për targat, analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike nuk presin rezultate të mëdha nga ky takim. Sipas tyre, Serbia nuk ka vullnet për arritjen e çfarëdo marrëveshjeje, ndërsa BE-ja si ndërmjetësuese, nuk është mjaft këmbëngulëse për arritjen e rezultateve në dialog.
Pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Berlin, raundi i ri i dialogut mbahet nesër në Bruksel.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, do të tentojnë të gjejnë zgjidhje për targat e automjeteve, energjinë në veri të vendit dhe personat e zhdukur.
Duke komentuar takimin, profesori universitar, Dritëro Arifi, thotë se mund të ketë marrëveshje për targat, por jo edhe për çështje të tjera.
“Për tabelat mund të ketë zgjidhje, por gjithmonë një zgjidhje kreative, por jo me simbole shtetërore. Kështu, Serbia do të paraqitet si një lojtar që bënë kompromise, e kështu do të fitohet kohë për dy pikat e tjera, energjinë dhe të zhdukurit”, tha ai.
Tutje, Arifi thotë për Radio Kosovën se BE-ja duhet të ketë qasje më serioze për sa i përket rezultateve në dialog.
Gjermania e filloi një hap, por, pa e bërë edhe Franca hapin tjetër, nuk po e shoh që ka një bashkërendim për sa i përket dialogut. Po vërehet që palët nuk janë të gatshme të ulen për negociata dhe të përfundojnë punët e pakryera. Ndërmjetësuesi duhet të jetë shumë më serioz dhe këmbëngulës që të mundë të arrihet diçka të paktën, pasi marrëveshja finale po vërehet që është shumë larg”, tha ai.
Analisti Artan Muhaxhiri, thotë se pas takimit të Berlinit mund të ketë ndonjë marrëveshje, në të kundërtën, dialogu vihet në pikëpyetje.
“Nëse edhe pas këtij takimi nuk do të ketë asgjë konkrete, atëherë ky do të jetë një ogur i zi për të ardhmen e dialogut, sepse, natyrisht që nuk do të mundë të pritet asgjë në muajt në vazhdim, nëse një marrëveshje teknike siç është kjo e targave, nuk mund të arrihet as pas gjithë këtyre muajve”, tha ai, RTK.
Arritja eventuale e marrëveshjeve për targat dhe pagesën e energjisë në veri të Kosovës, u përmend edhe nga ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambrecht, në takimin që pati me kryeministrin Kurti në Prishtinë. Kosova dhe Serbia ishin pajtuar muaj më parë në Bruksel, që deri më 21 prill të gjenin një ujdi për sa i përket çështjes së targave, por kjo nuk u arrit, pas mospajtimeve që kishin dy palët.