Në shënim të 27 prillit Ditës së Personave të Pagjetur, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e njeriut (YIHR) sot ka zhvilluar aksion ku kanë vendosur 1620 lule në shenjë përkujtimi për personat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Marigona Shabiu, drejtore ekzekutive e organizatës, ka thënë se çështja e personave të pagjetur po shtyhet shumë dhe shfrytëzohet për çështje politike.
Ajo ka shtuar se kjo protestë ka për qëllim nxitjen ndaj Qeverisë së Kosovës, për të shtuar intensitetin e punës në zbardhjen e fatit e të gjithë të pagjeturve.
Shabiu: Thirrje ndaj Qeverisë së Kosovës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve
“Ne si organizatë çdo vit e shënojmë këtë ditë si thirrje e jona për të bërë presion publik ndaj Qeverisë së Kosovës, për të shtuar intensitetin e punës së saj në zbardhjen e fatit e të gjithë të pagjeturve në Kosovë. Aktualisht i kemi 1620 persona, të cilët figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Për ne kjo çështje është shumë shqetësuese. Edhe 23 vjet pas lufte, familjarët e këtyre personave vazhdojnë të presin për të ditur se çfarë ka ndodhur me familjarët e tyre. Ne konsiderojmë se kjo çështje po shtyhet shumë, dhe po politizohet si nga Qeveria e Kosovës si dhe nga ana e Qeverisë së Serbisë. Kërkesa jonë është që të mos përdoret si çështje politike për poenë politikë nga të dyja palët, por të trajtohet si çështje humane dhe personat që figurojnë akoma të zhdukur t’iu kthehen familjarëve të tyre dhe të dihet çfarë ka ndodhur më ta, pastaj të vazhdohet më tutje me vendosjen e drejtësisë për krimet që janë bëre ndaj këtyre personave”, ka thënë ajo.
Shabiu ka thënë se lulet e verdha simbolizojnë çështjen e personave të pagjetur.
“Vendosja e numrit 1620 me lule ngjyrë te verdhë, gjithashtu e kemi edhe vendosjen e ribonave është simbolikë e çështjes se personave të pagjetur, ngjyra e verdhë simbolizon në nivel ndërkombëtar çështjen e personave të pagjetur, andaj sot kemi vendosur t’i përfshimë qytetarët në shënimin e kësaj dite, në thirrjen e protestës sonë ndaj Qeverisë së Kosovës për të zbardhur fatin e personave të pagjetur”, tha Shabiu.
Në Kosovë ende mungojnë eshtrat e mbi 1.600 personave të cilët janë zhdukur në luftën e vitit 1998-99. Gjatë vitit 2021 institucionet kosovare në bashkëpunim me ato serbe dhe Misionin Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) kryen gërmime në 9 lokacione të ndryshme në Kosovë dhe Serbi të cilat rezultuan me gjetjen e 24 personave që më pas iu dorëzuan familjarëve të tyre.