Konjufca e familjarët e të zhdukurve bënë homazhe pranë Obeliskut të të pagjeturve

Në shënim të 27 Prillit – Ditës së personave të pagjetur të Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur kanë bërë homazhe pranë Obeliskut të të pagjeturve.

Ata kanë vendosur kurora lulesh para përmendores së personave të të pagjeturve në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.

Bajram Çerkini, nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, u ka bërë thirrje autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare që të jenë më aktivë për fatin e mbi 1600 të pagjeturve.

Komunikata:

Kryetari Konjufca vendosi lule te Obelisku i të Zhdukurve me Dhunë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kryetarin e Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Andin Hoti, deputetë të Kuvendit, ministra të Qeverisë dhe familjarë të të zhdukurve me dhunë, bëri homazhe dhe vendosi lule pranë Obeliskut të të Zhdukurve me Dhunë, para ndërtesës së Kuvendit.

Sot, me rastin e 27 Prillit, kryetari Konjufca do të marrë pjesë edhe në shënimin e 23 vjetorit të masakrës në Mejë të Gjakovës, në nderim të 376 shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga forcat pushtuese serbe, në luftën e fundit në Kosovë.