Qyteti i Prishtinës padyshim se është një nga komunat me më së tepërmi ndërtime. Kryeqyteti ka marrë krejtësisht pamje tjetër ndër vite, ku në thelb e gjithë pamja kufizohet nga ndërtesa të larta, e shpesh herë krejtësisht të paplanifikuara siç duhet.
Por me një problem edhe më të madh janë përballur shumë qytetarë, të cilët kishin rënë pre e një mashtrimi, kur ata vendosën të blinin apartamente në një prej pikave qendrore të Prishtinës.
Një objekt tejet i lartë në lagjën ‘Qafa’ në Prishtinë është ai që e bën pamjen e kësaj lagjje mjaft të shëmtuar. Kjo për shkak se tashmë thuajse të gjithë kanë dëgjuar për mashtrimin që iu bë banorëve, pasi pronari i këtij objekti kishte ikur në momentin që kishte marrë paratë nga blerësit.
Prej 12 vitesh, ky objekt ka mbetur në gjysmë. Pavarësisht kësaj shumë prej familjeve të cilat kishin blerë banesa në këtë objekt janë detyruar të nisin jetesën aty në kushte aspak të përshtatshme.
Lidhur me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar Komunën e Prishtinës, për të parë se çfarë saktësisht ka ndodhur në këtë rast.
Nga Drejtoria e Urbanizmit në Prishtinë kanë deklaruar se pas konsultimit të dosjes së lëndës në arkivin e drejtorisë, se në vitin 2013 ishte lejuar ndërtimi i këtij objekti banimor afarist.
Investitor në këtë rast ishte “Ing Company”, me seli në Prishtinë, por të cilët që nga ky rast sikur janë “përpirë” nga dheu, e më s’është dëgjuar as edhe një gjë për të njëjtit.
“Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës, pas shqyrtimit të pyetjeve të parashtruara si më poshtë dhe pas konsultimit të dosjes së lëndës në arkivin e drejtorisë, ju informon se, bazuar në kërkesën e të pronarëve dhe investitorit, me aktin administrativ “Aktvendim”, me referencë 05 Nr. 351-29232 dt. 02.10.2013, në emër të Elmi Qenaj, Sahit Maroshi, Adnan, Sebahedin dhe Enver Gërdovci, Miradije Qehaja e Zehra Qaja, Fahredin e Sahit Morina, nga Prishtina dhe investitori “Ing Company” shpk, me seli në Prishtinë, është lejuar ndërtimi i objektit banimor afarist, me etazhitet 2B+P+8, në bllokun urbanistik “T19” të Planit Rregullues “Tophane”, në kuadër të parcelave kadastrale nr. 6082-0, 6083-0, 6084-0, 6085-0, 6086-0, 6087-2 dhe 6088-0 ZK Prishtinë.”, u tha në përgjigjen e komunës.
Por, sipas drejtorisë, nuk posedojnë informacione se çfarë në fakt ka ndodhur me investitorin në këtë rast.
“Ndërsa, lidhur me pyetjet tjera në vazhdim, kjo drejtori ju informon se çështjet e njëjta, nuk bien në kompetencë të kësaj drejtorie, dhe rrjedhimisht kësaj, nuk posedon të dhëna.”, u theksua tutje nga Drejtori për Urbanizëm.
E pavarësisht se askush nuk u mor me problemin e tyre, banorët po vazhdojnë jetesën e tyre në një objekt banesor të papërfunduar, e i cili shihet qartë se nuk përkon aspak me kushtet që duhet plotësuar një objekt banimi.
Edhe pse kryeqyteti është “mbuluar” thuajse nga objektet e larta banesore, shumë prej tyre vazhdojnë të mos kenë as pranim teknik.
Pranimi teknik është shfaqur si problem i shpeshtë nga banorët, por pavarësisht ankesave Komuna e Prishtinës vazhdon të “zvarrit” procesin e pranimit teknik.
E në kuadër të situatës së banorëve të ndërtesës së njohur në qendër të Prishtinës, sipas burimeve të lajmi.net, investitori i “Ing Company” kishte ikur nga shteti i Kosovës.
Sipas të njëjtave burime ky i fundit pas pranimit të shumë parave nga pronarët e apartamenteve të blera nga ai, ishte zhdukur për të mos u lajmëruar më pas kurrë tek asnjë prej tyre, apo tek institucionet kompetente.