Projektligji i cili mundëson tërheqjen e 30% nga Trusti u është shpërndarë deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka njoftuar se Projektligji që mundëson tërheqjen e 30 për qind të mjeteve të kursyera në Trust është shpërndarë sot tek deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu tha se beson që deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe do të mbështesin këtë Projektligj, teksa ftoi të gjithë që të mbështesin tërheqjen e parave nga Trusti.

Ndryshe Qeveria e Kosovës ditë më parë i tha jo mundësisë së tërheqjes së 30 për qind nga Trusti.

Madje kryeministri, Albin Kurti, pati deklaruar se tërheqja e mjeteve nga trusti nuk është zgjidhje.

Postimi i tij i plotë:

Projektligji që mundëson tërheqjen e deri 30% të mjeteve nga Trusti u është shpërndarë sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe me integritet do të mbështesin këtë Projektligj që është kërkesë e qytetarëve.
Tani plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, është në dorën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ftoj të gjithë kolegët deputetë nga të gjitha subjektet politike parlamentare që ta mbështesin këtë kërkesë të qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trsuti.