Sulmi i gjashtë i cili ka ndodhur ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në orët e hershme në Zupç të Zubin Potokut, nga njohësi i sigurisë, Avni Islami po konsiderohet të ketë qenë i sinkronizuar dhe i organizuar mirë. Sipas tij, kryerësit e këtij akti janë pjesëtarët e strukturave ilegale serbe që veprojnë në veri të Kosovës, prandaj Islami thekson se Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë përgjegjësi nga Serbia për këto sulme.
Doktori i shkencave të sigurisë, Avni Islami në një intervistë për KosovaPress shprehu shqetësimin që ende nuk është arrestuar asnjë person që lidhet edhe me sulmet e mëhershme që kanë ndodhur në veri karshi pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Ai theksoi se kryerësit e këtyre akteve nga organet e sigurisë duhet të vihen sa më parë para drejtësisë.
“Kur ndodh një sulm ose eventualisht dy sulme mund të thuhet se janë eksese, por sulmi i gjashtë që ka ndodhur në ditën e sotme duket se janë të sinkronizuara dhe të organizuara shumë mirë e që autorët e tyre ende nuk dihet dhe ende nuk është arrestuar askush. Kjo edhe është shqetësuese sepse po rrezikohen pjesëtarët e Policisë së Kosovë dhe deri më sot nuk është arrestuar askush. Pra, është një shqetësim dhe duhet të merret me seriozitetin më të madh nga organet e sigurisë e në veçanti nga organet e Policisë së Kosovës ku autorët e këtyre veprimeve të cilat po i bëjnë duhet të vihen sa më parë nga drejtësia e Kosovës”, tha Islami.
Islami tha se strukturat ilegale serbe qëndrojnë edhe prapa këtij sulmi.
Ai i ka komentuar edhe deklarimet e Listës Serbe, e cila është distancuar nga sulmi i sotëm në veri. Sipas tij, këto deklarata janë lojëra diplomatike.
“ Nuk mund t’ia drejtosh gishtin askujt për këto veprime, por me vetë faktin që në veriun e Kosovës ende janë aktive strukturat e sigurisë të Serbisë ata janë edhe përgjegjës, përgjegjës për këto sulme janë strukturat ilegale të cilat veprojnë në Kosovë, dhe do të duhej që përgjegjësi, organet e sigurisë së Kosovës të kërkojnë ose Qeveria e Kosovës, të kërkojë nga shteti serb, për shkak se asnjë veprim ose mosveprim në veriun e Kosovës nuk bëhet pa dijeninë e shtetit serb. Pavarësisht se sot ka pasur reagime nga Lista Serbe kjo është lojë diplomatike dhe përgjegjës për këtë janë strukturat e sigurisë ilegale në Kosovë dhe shteti serb”, u shpreh ai.
Njohësi i sigurisë në vend, Avni Islami pas këtyre sulmeve të shumta karshi pjesëtarëve policorë kërkon që organet e sigurisë të Kosovës ta ngritin shkallën e gatishmërisë dhe të bëjnë një plan konkret për t’i neutralizuar individët apo grupet e organizuara kriminale që veprojnë në veri të vendit.
Sipas tij me këto sulme po rrezikohet ligji dhe rendi kushtetues.
“Organet e sigurisë të Kosovës do ta ngritin shkallën e gatishmërisë edhe pse ka qenë në nivel dhe për këtë nuk kemi pasur viktima, por mendoj se që nga sot do të duhet që shumë seriozisht të vihen në veprim, një plan i cili do t’i neutralizonte qoftë individ të specializuar, qoftë grupe të organizuara kriminale, t’i neutralizojë në mënyrë që të mos ketë akte të tilla të cilat seriozisht po e rrezikojnë ligjin dhe rendin kushtetutes… Në veriun e Kosovës nuk është hera e parë që ndodhin sulme të tilla apo incidente të ndryshme, pra sa herë i duhet Serbisë ajo ngritë tensione përmes incidenteve të tilla mirëpo secilën herë institucionet e sigurisë së Kosovës iu kanë përgjigjur me profesionalizëm dhe moral të lartë e gjithnjë duke i bashkërenduar veprimet edhe me bashkësinë kombëtare”, deklaroi njohësi i sigurisë.
Në fshatin Zupç të Zubin Potokut, në orët e hershme të mëngjesit një automjet i Policisë është sulmuar me armë zjarri. Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Në këtë pjesë të vendit janë shtuar edhe masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.
Përveç sulmit të sotëm, pjesëtarët policorë të Kosovës u sulmuan edhe ditë më parë. Më 15 prill u sulmuan dy vetura të Policisë së Kosovës që po bartnin zyrtarët policorë për në pikat kufitare në veri. Një sulm kishte ndodhur edhe një më ditë më pas, në Sharpej të Jarinjës.