​Më 26 prill hapet aplikimi për subvencione për kulturat dhe aktivitetet bujqësore

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se më 26 prill të këtij viti do të hap periudhën e aplikimit për pagesa direkte/subvencione për kulturat dhe aktivitetet bujqësore, të cilat mbështeten përmes programit të pagesave direkte/subvencioneve për vitin 2022.

Sipas MBPZhR-së, hapja e fazës së aplikimit është mundësuar pas aprovimit të këtij programi dhe ndjekjes së procedurave ligjore për hartimin e udhëzimit administrativ, diskutimit paraprak, diskutimit publik dhe hyrjes në fuqi të këtij akti normativ pas shpalljes në gazetën zyrtare, si dhe pas koordinimit të drejtorive për bujqësi në komuna me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Duke ftuar fermerët që të aplikojnë për mbështetje në kuadër të këtij programi, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka theksuar se në kuadër të këtij programi kanë adresuar rritje substanciale të mbështetjes financiare për fermerë me vlerë prej rreth 50 milionë euro.

“Përmes Programit për Pagesa Direkte për vitin 2022 kemi planifikuar një buxhet prej 5 milionë euro për subvencionimin e naftës, përkthyer në 0.36 cent për litër dhe 8 milionë euro për inputet bujqësore për plehërim pranveror për 4 kultura bujqësore, grurë të përkthyer në 150 euro për hektarë, misër, patate dhe fasule përkthyer në 100 euro për hektarë”, ka treguar ministri Peci.

Ndryshe, sipas ministrisë, në kuadër të PPD-së për vitin 2022 është rritur përkrahja për 216% për grurin, 119% për misrin, 118% për pataten dhe fasulen, 85% për perimet për perimet në fushë të hapur, 100% për perimet në sera, 33% për bletët, 26% për kulturat pemëtarë, 25% për mjedrën, 21.6% për farën e grurit, 16% për qumështin sipas cilësisë, si dhe rritje të konsiderueshme për shumicën e sektorëve dhe nën-sektorëve të paraparë me Programin e Pagesave Direkte 2022.