Kurti e synonte nivelin e Kroacisë: Atje paga mesatare 985 euro, në Kosovë rreth 466

985 euro është paga aktuale neto për punonjës në Kroaci.

Kjo sipas Byros Qendrore të Statistikave në këtë shtet e cila tregon se kjo pagë është nominalisht më e lartë me 5.9 për qind dhe realisht më e ulët me 0.4 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2021, shkruan lajmi.net.

Një standard të ngjashëm me këtë të Kroacisë synonte ta kishte Kosova, sipas kryeministrit Kurti.

Madje, në një deklaratë të tij pas miratimit të buxhetit, i pari i Qeverisë thoshte se nëse vazhdon rritja e pretenduar ekonomike, atëherë Kosova do t’i afrohet shtetit kroat.

“Kundërshtarët e Kosovës kanë interes që qytetarët të mos shpenzojnë por kursejnë, sot lajmi kryesor që i frikësohen është rritje dyshifrore ekonomike. A e dini cka do të thotë nëse ne vazhdojmë për rritjen 10%, do t’i afrohemi Kroacisë. Prandaj është tejet e rëndësishme dhe asnjëherë mjaftueshëm e theksuar rritja ekonomike e Kosovës”, tha Kurti.

Por të dhënat nga terreni flasin për atë se sa e vështirë, për mos ta konsideruar të pamundshme është që të mbërrihet standardi kroat.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për vitin 2020, paga mesatare bruto në vend ishte 466 euro pra mbi 500 euro më pak se ajo e Kroacisë.

Kosova qëndron shumë larg edhe sa i përket aspektit të pagës minimale.

Qeveria e Kosovës tanimë ka nisur procedurat që ajo të ngritet nga 170 sa është tani, në 250.