S’ka veprime sindikale deri javën tjetër, Hykolli: Qeveria ka dhënë sinjale pozitive rreth kërkesave që i kemi

Ka përfunduar takimi i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Nga ky takim është marrë vendim që më 27 prill, të ketë edhe një mbledhje tjetër mes sindikatave.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka thënë se deri atëherë është vendosur që të mos ketë veprime sindikale, meqë sipas tij, qeveria u ka dhënë sinjale pozitive për dialog rreth kërkesave që kanë.“

Sot e patëm takimin e rregullt të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe analizuam protestën e fundit. Në takim u morëm vesh që Qeveria të na informojë deri ku ka shkuar Ligji i Pagave dhe Ligji për Pensione Sociale dhe Sigurime Shëndetësore. Kërkesa jonë ka qenë dialogu social dhe kemi filluar dialogun dhe takimin e radhës e kemi sot një javë”, tha Hykolli për EO.

Në variantin më të keq, Hykolli nuk i ka përjashtuar grevat e protestat. Për këto të fundit, ai luti Qeverinë që t’i marrë parasysh kërkesat e tyre.

“Veprimet sindikale janë edhe grevat e protestat por fillimisht i kemi dhënë mundësi partnerit tonë social që të zhvillojmë dialog social. Dhe do t’i vazhdojmë veprimet tona sindikale. Takimin që kishim ishte disponim që të merren seriozisht kërkesat tona. Ne kemi edhe veprimet tona sindikale që shpresoj që të mos shkohet deri atje”, tha tutje Hykolli.